Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, duket se ka ardhur momenti që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) t’i bëjë disa ndryshime në strukturat e partisë.

Rezultati tejet i dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit ka bërë ka bërë që kjo parti të fillojë urgjentisht reformimin e brendshëm.

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë premtuar se kjo parti do të bëjë reforma të thella në aspektin strukturor dhe të kuadrove. Ndërsa, në shesh tashmë kanë dalë edhe emrat e dy pretendentëve që synojnë të marrin pozitën e të parit të partisë.

Është anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, i cili ka thënë se emrat e ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, si dhe ish-ushtruesit të detyrës së ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, kanë qenë më të përfolurit për kryetar të Partisë Demokratike.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se shpëtimi i vetëm për Partinë Demokratike të Kosovës është Vlora Çitaku. Gjersa theksojnë se emri i Vlora Çitakut kumbon për mirë, pasi që ajo, sipas tyre, është një profil që është vlerësuar në punët e saj.

Analisti politik, Gani Qarri, ka thënë se edhe pse nuk ka një datë të caktuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së, në vendin tonë thotë se është bërë tashmë traditë që të bëhen spekulime mbi emrat që do të mund ta merrnin drejtimin e kësaj partie.

“PDK në opinion njihet si partia më e inkriminuar në vend e lidhur fort me korrupsionin, krimin e organizuar, mafio-oligarkët më të mëdhenj dhe nëntokën kriminale në vend, me të cilat e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje të pa rrugëdalje, duke e lënë pa liberalizim vizash dhe izoluar nga e gjithë bota demokratike, si asnjë shtet tjetër në rajon. Madje kur përmendet PDK, menjëherë na shkon mendja te kapja e shtetit prej saj, te klani i famshëm-PRONTO, zhvatja e qindra miliona eurove apo edhe miliardëve, nepotizmi, hajnia, uzurpimi i 6-7 vend punimeve nga një person, katapultimi i kryeprokurorit të shtetit me provim të dyshimtë juridik, përmes një telefonate të Kadri Veselit me kapot e PRONTO-s, tenderomanitë me 10-30 % dhe të gjitha të këqijat që në 12-13 vitet e fundit kanë mundur ti ndodhnin shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka thënë fillimisht analisti Qarri.

Analisti shprehet se kjo parti kujton fusnotën, me të cilën Thaçi, rreth një vit pas vulosjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pastroi këtë akt të shenjtë dhe shtetësinë e Kosovës, asociacioni një-etnik serb, që kishte dhe ka për qëllim bosnjëzimin e Kosovës.

“Falja dhjetëra mijëra hektarëve tokë të Kosovës, FYROM-it dhe Malit të Zi, eksterritorialiteti i kishave ortodokse “serbe” në dhjetëra hektar tokë, sipas projekteve të Millosheviqit, pazaret tjera të fshehta prapa shpinës së opinionit dhe qytetarëve të vendit tonë, kërkesa publike për ndarjen e Kosovës në Alpbach të Austrisë, etj,etj. Për aq më tepër, na rrëqeth edhe sot fakti se pas 25 korrikut të vitit 2018, kur kuislingu Hashim Thaçi, në Alpbach të Austrisë kërkoi edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar për ndarjen e Kosovës, sipas hulumtimit të organizatës BIRN, ai njëkohësisht, kishte porositur edhe këshilltaren e tij dhe të Kadri Veselit Dhurata Hoxhën, si ministre e PDK-së për Integrime Evropiane, në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që me parat e taksapaguesve të varfër të këtij vendi, ta paguante një firmë të fuqishme franceze, si ajo “Majorelle PR & Events” me mbi 168 mijë euro, për ta promovuar kudo në botë, ndarjen e Kosovës”.

Sipas Qarri, ky është momenti ideal që kjo parti të çlirohet nga figurat e inkriminuara.

“Çitaku do të mund ta shpëlante sado pak këtë parti nga llumi ku e kanë zhytur Thaçi me shokë, ndërsa Gent Cakaj, do t’ia sillte vdekjen para kohe, megjithëse PDK, edhe ashtu ka rënë në agoninë shuarjes, sidomos kur kihen parasysh lidhjet e Cakajt me Edi Ramën e Baton Haxhiun, këshilltarin e Thaçit, Edvin Kristaq Ramës dhe Ivica Stanishiqit”, ka theksuar analisti politik, Gani Qarri, për “Bota sot”.

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i çështjeve politike në Shqipëri e Kosovë, Rexhep Shahu, shprehet se propozim i Cakajt në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mund të jetë vetëm një shaka e medieve, e asgjë më shumë.

“Genc Cakaj kryetar i PDK-së është një shaka e medieve besoj. PDK-ja ndonëse parti e re dhe e papfrofilizuar, që hyri në kongres e majtë dhe doli e djathtë sepse në Kosovë ishte koha kur ishte dhe është turp të jesh i majtë, pasi të majtët identifikohen me Serbinë dhe krijuesit e Partisë komuniste të Shqipërisë, pra PDK–ja meriton seriozitet dhe Genc Cakaj është shaka. Mirë apo keq, Thaçi e Veseli krijuan profilet e tyre si drejtues të kësaj partie dehe duhet një personalitet që të bëhet udhëheqës i saj. Pastaj, në atë parti gjetën strehë komandantë realë e komandantë falso të luftës dhe UÇK-së dhe ata ia shtuan seriozitetin apo peshën asaj partie, ia shtuan të mirat e të këqijat”, ka deklaruar Shahu

Shahu në fund ka theksuar se përtej shakasë me Gent Cakajn, emri i Vlora Çitakut ndoshta kumbon për mirë, pasi që sipas tij, Çitaku është një profil që është vlerësuar në punët e saj.

“Ndërsa, përtej shakasë me Gent Cakajn, emri i Vlora Çitakut ndoshta kumbon për mirë, ajo është një profil që është vlerësuar në punët e saj. Nuk e di sa e fortë e luftarake mund të jetë ajo të përballet me një parti ku duket se dominon vrazhdësia mashkullore dhe nuk është në rend të parë intelektuali e i dituri, por luftëtari e i forti i vetshapllur më së shumti si çlirimtar në radhët e asaj partie. Nuk e di sa i shtrin tentakulat Edi Rama të ndikojë për Gent Cakajn, por nuk besoj se ata që kanë fuqi selami e ndikimi në PDK do të hiqnin fuqinë e ndikimit të tyre duke ai dhënë Edi Ramës sado shumë ta duan atë”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.