Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiut, e cila sipas saj ka akuzuar deputeten e sapozgjedhur të PDK-së, Sala Jashari, se është “në koordinim me Listën Serbe”, si dhe deputetët tjerë të kësaj partie.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Çitaku kujtoi sakrificën e familjes Jashari në betejën e Prekazit, ku më 5, 6 dhe 7 mars ranë heroikisht Sala dhe Hamit Jashari, duke e quajtur atë “betejën më emblematike të kombit shqiptar”.

Ajo shtoi se mbesa e nënës Salë, Sala e re – Sala Jashari – është sot deputete e Kuvendit të Kosovës falë votës së qytetarëve patriotë, dhe se një akuzë e tillë ndaj saj është e papranueshme.

“Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare”, shkroi Çitaku, duke e cilësuar deklaratën si të turpshme dhe pjesë të një “narracioni të ulët politik”.

Ajo shtoi se “diku kemi gabuar” që figura të tilla kanë arritur të mbajnë pozita të larta shtetërore dhe shprehu shpresën se “sot është fillimi i fundit të këtij mentaliteti”.

Reagimi i Çitakut ka ngjallur diskutime të shumta në skenën politike, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit dhe tensioneve mes partive parlamentare.