Ish-ambasadori

Vllahiu: Shtetet pritëse ku Kosova ka pasë ambasadorë pyesnin kush është pasardhësi yt

Ish-ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, ka thënë se në periudhën e fundit tremujore në një formë edhe ka qenë në detyrë edhe nuk ka qenë, pas vendimit të presidentes për lirimin e tij dhe 12 ambasadorëve të tjerë të Kosovës.

“Realisht kjo ishte periudha tre mujore e secilit prej nesh që ishim shefa të misioneve, të atyre që ishim liruar në bazë të vendimit të presidentes Vjosa Osmani dhe me kërkesën e ministres së punëve të jashtme Donika Gërvalla. Kjo është periudha tremujore kur je në detyrë dhe nuk e ke lënë misionin pa asnjë shef. Nuk është që ke hequr dorë nga detyrat e tua të përgjithshme dhe të përditshme, prej atyre që janë detyra dhe obligime shtetërore të cilat i ke marrë në ditën kur je nis për mision. Ishte periudha e fundit në të cilën jemi përpjekur që ta bëjmë mirëmbajtjen e punëve në misionin diplomatik, njëkohësisht edhe një lloj komunikimi të vazhdueshëm me institucionet e shteteve pritëse dhe me misionet e tjera diplomatike të akredituara në shtetet ku ishim të akredituar edhe ne”.

“Është një përvojë me një periudhë të caktuar kohore kur edhe je në detyrë edhe nuk je në detyrë. Duhet të përmbyllësh të gjitha gjërat dhe kur e di se pas kësaj do të duhej që të vinte një tjetër diplomat i rangut të ambasadorit që do të duhej ta merrte detyrën prej teje”.

Vllahiu, në Klan Kosova, ka thënë se shtetet pritëse ku Kosova ka pasë ambasadorë të akredituar janë të shqetësuara se kush do të jetë ambasadori/ja pasardhës që do të vijë pas atyre që e kanë përfunduar tashmë misionin.

“Unë nuk e kam pasë problemin e komunikimit me institucionet e Çekisë, në kuptimin që është përfunduar ose jo mandati. Me institucionet e Republikës së Çekisë dhe Polonisë për të cilën kam qenë përgjegjës kam pasë komunikim deri në ditët e fundit. Ka qenë komunikim i rregullt me ta, pavarësisht vendimit për tërheqje prej misionit. Mund t’iu them që ka misione të tjera që kanë pasë probleme, sepse ti e ke kry mandatin dhe shtetet pritëse fillojnë të përgatiten për pasardhësin tënd. Pyetja e vetme në të gjitha misionet ku kemi qenë të akredituar nga shtetet pritëse dhe misionet e tjera është se kush  është pasardhësi yt. Nuk ka të bëjë me emrin e atij/asaj që vjen sa ka të bëjë me vazhdimësinë e komunikimit dhe marrëdhënieve të Kosovës me shtetin pritës. Më 30 gusht kanë përfunduar mandatet e 13 diplomatëve dhe tani kemi një boshllëk që nuk është mbushur. Është një shqetësim edhe në Kosovë edhe i shteteve pritëse se çfarë do të bëhet tani, cilët janë ata njerëz që do të vijnë dhe kur do të vijnë ata”.