Vllahiu për protestën e Berishës: Një përpjekje për t’u protagonizuar në skenën politike në Shqipëri

Ish-ambasadori i Kosovës në Çeki, njëherësh edhe analist politik, Arber Vllahiu, ka komentuar për protestën e thirrur sot nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, kundër ”Ballkanit të hapur”.

Ai tha se kjo është më shumë një përpjekje e Berishës, për t’u bërë portagonist në skenën politike, ndërkaq shtoi se marrëdhëniet rajonale janë ato që përcaktojnë nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Nuk e shoh si diçka jashtë një veprimi politik të një partie opozitare. E shoh më shumë si një përpjekje për t’u protagonizuar në skenën politike në Shqipëri. Protesta kundër një nisme rajonale mund të duket e çuditshme, pasi marrëdhëniet rajonale janë ato që përcaktojnë rrugën apo nivelin e marrëdhënieve në nivel ndërkombëtar. Në rrugën e integrimeve evropiane marrëdhëniet rajonale janë përcaktuese në këtë rrugë. Ka ndodhur një histori e caktume, një veprim, një ide e caktume mbi një nismë rajonale, që ka të bëjë me Ballkanin e hapur. Në këtë fushë mund të pajtohemi ose jo me idenë, mund ta kundërshtojmë me forcë, me veprime politike ose të tjera, por duhet të shohim në tërësinë e saj se çka është Open Ballkans, çka i ofron Shqipërisë dhe Kosovës, të shohim se çka është Open Ballkan, a e pengojnë njëra-tjetrën Kosova e Shqipëria në rrugën e bashkëpunimit rajonal”, ka shtuar ai në Klankosova.tv.

Sipas Vllahiut, Ballkani i hapur nuk duhet të shihet si një nismë e keqe veç pse është propozuar nga Serbia. Sipas tij, Kosova duhet ta shohë se cilat janë pengesat e kësaj nisme, në mënyrë që ta refuzojë.

“Kemi ardhur në një pozicion që jemi duke refuzuar gjithçka që ka të bëjë në rrugën e bashkëpunimit rajonal. Çdo gjë që ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal nuk duhet të jetë e mbyllur për Kosovën. Kosova duhet ta analizojë shumë mirë se çka do të thotë Ballkani i hapur, cilat janë përfitimet e kësaj nisme e jo me deklarime e refuzime të menjëhershme. Nuk duhet me u arsyetu që ka ardhë prej Serbisë si nismë, arsyetimi duhet me qenë se cilat janë pengesat e Kosovës në këtë rrugë”, ka thënë Vllahiu në Info magazine.

Sipas tij, Kosova dhe shqiptarët në Ballkan nuk janë në një pozicion, që duhet të ndihen inferiorë ndaj të tjerëve.

“Si nismë e re, do të mund të ketë sukses, siç e ka thënë Eskobar, nëse ka përfshirje të gjashtë vendeve. Kur flitet për Ballkanin perëndimor, nuk flitet për 5 vende plus një, por flitet për gjashtë vende, ku Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë. Ne e dimë për problemet që i kemi me Serbinë, ne e dimë që Serbia është tregu më i madh në Ballkanin perëndimor, por duhet të kuptojmë se tregu i shqiptarëve është një treg që mund të funksionojë dhe nuk mundemi me përjashtu komplet një treg të shqiptarëve brenda Ballkanit”, ka shtuar ai.

Vllahiu tha se vendet e Ballkanit perëndimor duhet të gjejnë mënyrat e tyre se si të ecin përpara.

“Ballkani i hapur është riformuluar, pasi ka nisë si Mini-shengenin. Mini-shengenin e ka përmend edhe presidenti Sejdiu në vitin 2009. Për arsye se në atë kohë Ballkani ka pasur nevojë që të ketë një lloj bashkëpunimi në mes gjashtë vendeve dhe të kenë mini-shengen që ato të mund të lëvizin. Në kohën kur gjithë të tjerët kanë liberalizim të vizave, ti nuk mundesh me u izulu brenda një rajoni ma të gjanë ose një oaze të vogël në mes”, ka vazhduar ai.

Ai tha se as Shqipëria nuk duhet të shtojë presion ndaj Kosovës, për të pranuar të jetë pjesë e një nisme të tillë, por as Kosova nuk duhet të refuzojë me aq ngulm.

“Imponimi nuk është rrugëzgjidhje. Shqipëria nuk mund t’ia imponojë Kosovës asnjë zgjidhje të mëtutjeshme për aq sa refuzimi i madh i Kosovës nuk është zgjidhje po ashtu”.Më shumë nga interneti