Vlerësohet se është koha të miratohet Ligji për lobim, me qëllim të rritet transparenca

Kosova ndër vite ka shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave në kuadër të lobimit për njohje të reja, por edhe për çështje të tjera që ndërlidhen me imazhin e saj si shtet. Megjithatë, forma e deritashme e lobimit, përveç vlerësimit të rezultateve, ka ngritur shpesh edhe dilema rreth transparencës së shpenzimeve.

Andaj, përfaqësues nga organizatat joqeveritare, si dhe disa nga deputetët e ardhshëm të Kosovës, konsiderojnë se tani ka ardhur koha për miratimin e ligjit përkatës, për lobim.

Në Institutin Demokratike të Kosovës, thonë se vendosja e rregullave të qarta për lobim është hap i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit. Siç thonë në këtë institut, vendosja e një kornize ligjore është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë moderne demokratike.

Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se lobimi i rregulluar me ligj, rrit transparencën në sektorin publik dhe rregullon marrëdhëniet midis grupeve të ndryshme të interesit, lobistëve, mbajtësve të zyrës publike dhe politikanëve, gjë që kontribuon në funksionimin më të mirë të administratës shtetërore.

Nisma nga shoqëria civile shihet e drejtë edhe nga disa prej deputetëve të ardhshëm të Kosovës. Blerta Deliu – Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo që bazuar në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare te 6 tetorit pritet të jetë në opozitë, thotë se një ligj i tillë do t’i ndihmonte, pos tjerash, Kosovës në rrafshin ndërkombëtar duke marrë si bazë edhe praktikat e vendeve tjera që tashmë e kanë këtë ligj.

“Mendoj se duhet të konsultohen praktikat më të mira të shteteve, të cilat e kanë një ligj të tillë të miratuar në parlamentet e tyre përkatëses. Marrja e praktikave të mira besoj se do ta kishte sjellë Kosovën në një pozicion të mirë sa i përket miratimit të këtij ligji dhe do të përforconte agjendën tonë legjislative duke i dhënë peshë lobimit”, thotë Deliu – Kodra.