Vlerësohet pozitivisht performanca e gjyqtares franceze në Superkupë

Krahas spektaklit që dhuruan në fushën e lojës Liverpooli dhe Chelsea në Superkupën Europiane mbrëmjen e djeshme, vëmendja e madhe ishte edhe te gjyqtarja franceze Stephanie Frappart.

Kjo e fundit hyri në historinë e futbollit, pasi u bë e para gjyqtare femër, që gjykon një finale të UEFA-s, ndërsa edhe performanca e saj në fushë natyrisht që ka pasur një vëmendje speciale.

E përqendruar gjatë nxehjes para ndeshjes dhe e qeshur tërë kohës me asistentet e saj Manuela Nicolosi dhe Michelle O’Neill, gjyqtarja franceze e kaloi me sukses të plotë provën e saj aspak të lehtë.

120 minutat e Stambollit ishin të mbushura me episode dhe raste të dyshimta, por vendimet e Frappart ishin të gjitha në kohën e duhur dhe VAR-i e përsëritjet televizive konfirmuan se ishin edhe të drejta.

Gjithmonë pranë aksionit, e ekuilibruar në vendimet dhe në kartonët që jepte dhe aspak e intimiduar nga reagimet e futbollistëve të kuq apo të kaltër, pas faulleve të vërshëllyera, ishin disa nga cilësitë e treguara nga francezja, që ishte gjithashtu fituese e finales së mbrëmshme të Stambollit.

loading…