Vlerësohet i kundërligjshëm vendimi i Kuvendit të Prizrenit për autorizimin e huamarrjes nga BERZH-i

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e autorizimit për huamarrjen në vlerë prej 5 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është vlerësuar i kundërligjshëm prej nivelit qendror. Ministria e Pushtetit Lokal përmes një shkrese ka njoftuar kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka dhe kryesuesin e KK-së, Sulltan Badallaj, me raportin e vlerësimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku thuhet se ky akt komunal, i miratuar me 18 mars 2021, “është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”.

e Prizrenit në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur me 18 mars 2021 pati aprovuar huamarrjen nga BERZH-i në vlerë prej 5 milionë eurove, me të cilën parashihet financimi i efiçiencës së energjisë në 100 ndërtesa në pronësi komunale. Kryetari Haskuka pati pohuar se pas aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë, kryesisht në shkolla dhe në qendra të mjekësisë familjare, do të ketë kursime në shpenzime që do të mundësojnë pagesën e kësaj kredie, dhe se me aplikimin e këtyre masave përmbushen edhe standardet e kërkuara nga BE-ja për efiçiencë të energjisë.

Ndërkaq në vlerësim, MFPT-ja ka shpjeguar mospajtueshmëritë e aktit komunal me dispozitat ligjore. Fillimisht, kjo ministri, ka bërë të ditur se me nenin 30 të Ligjit për Borxhet Publike është paraparë e drejta për huamarrje të komunave dhe se është përcaktuar procedura për autorizim, natyra e obligimit për të shlyer borxhin, qëllimi i borxhit, kushtet e borxhit, letrat me vlerë të komunës, të hyrat nga borxhi dhe investimi i fondeve, dhe se paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, i këtij neni, ka paraparë se në cilat kushte vendimi i KK-së duhet të autorizojë borxhin afatgjatë.

“Relevante për rastin konkret është pika 1.3.8 e këtij neni, ku specifikohet se për të autorizuar borxhin afatgjatë, vendimi i Komunës duhet të përmbajë ‘kohën e dobishme të mjeteve të financuara nga të hyrat nga borxhi’, për të cilin kusht MFPT nuk ka pranuar dokumentacion. Rrjedhimisht, në vendimin e Komunës së Prizrenit nuk dokumentohet se është plotësuar kushti i paraparë në pikën 1.3.8”, thuhet në shkresën e MFPT-së.

Aty theksohet se ngjashëm nuk ka dëshmi të bashkëngjitur edhe për pikën 1.3.9, me anë të së cilës kërkohet që vendimi i komunës të ketë “një parashikim i të hyrave të përgjithshme të buxhetuara dhe shpenzimeve të përgjithshme të buxhetuara për çdo vit dhe përfshirë vitin në të cilin borxhi është planifikuar të shlyhet plotësisht përfshirë supozimet materiale në të cilat bazohen parashikimet”.

“Si rezultat në bazë të dokumentacionit të pranuar nga Komuna e Prizrenit, kushtet e përcaktuara në nenin 30 të Ligjit 03/L-175 nuk janë krejtësisht të plotësuara nga vendimi i KK-së së Prizrenit”, ka vlerësuar kjo ministri.

Sipas ministrisë, akti komunal nuk ka përputhshmëri edhe me paragrafin 3 të nenit 30 të Ligjit për Borxhet Publike, që pos tjerash parasheh që “Komuna mund të marrë borxh afatgjatë për investime kapitale që janë të përcaktuara në KASH dhe BKK”. “Në konsultim me strukturat e brendshme të Ministrisë, evidentohet se kjo marrje e borxhit nuk është paraparë në KASH. Andaj, kredia si e tillë është në kundërshtim me nenin 30 të Ligjit për Borxhet Publike”, thuhet në raportin e MFPT-së.

MFPT-ja ka pohuar se në vendimin e KK-së së Prizrenit parashihet edhe hapja e një llogarie rezervë për shërbimin e borxhit në një bankë tregtare, gjë që, sipas kësaj ministrie, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Në të njëjtën kohë autoritetet komunale janë informuar nga niveli qendror se krahas shqyrtimit të ligjshmërisë, vendimi për borxh komunal i nënshtrohet edhe miratimit paraprak nga MFPT-ja, dhe jo vetëm njoftimit siç parashihet në vendimin e Komunës.

Ministria ka përkujtuar organet kryesore komunale se, sipas Ligjit për Borxhet Publike, Komuna nuk mund të hyjë në ndonjë borxh afatgjatë për një periudhë prej gjashtë muajve para zgjedhjeve komunale, dhe për këtë arsye ka rekomanduar Komunën që ta këtë parasysh këtë fakt gjatë procedimit të mëtejshëm.

“Bazuar në të cekurat më lartë, MFPT i propozon MPL-së që të kërkojë nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e Komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në raportin e MFPT-së.

Kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Sulltan Badallaj ka konfirmuar pranimin e shkresës nga niveli qendror, me të cilën kërkohet harmonizimi i vendimit të Kuvendit me legjislacionin në fuqi.

Lidhur me këtë çështje në rrjetet sociale kanë reaguar opozitarët, me ç’rast Ilir Baldedaj i AAK-së, vlerësimin e nivelit qendror e ka quajtur lajm të mirë për Prizrenin, që e parandalon futjen e Komunës së Prizrenit në borxhe.

Shaqir Totaj i PDK-së ka shprehur qëndrimin se ky vlerësim ka shpalosur përpjekjen qëllimkeqe të Ekzekutivit, që me nxitim dhe me kontrabandimin e votave të disa kuvendarëve nga opozita, të ndikojë në miratimin e këtij vendimi në KK.

Ndërkaq dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren ka theksuar se kundërshtimi i tyre ndaj iniciativave të tilla të qeverisë komunale po konfirmohet si qëndrim i drejtë edhe nga vlerësimi i nivelit qendror.