Vlerësimi i ekspertëve: Sistemi ETIAS mund ta shtyjë heqjen e vizave

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se në takimet e nëntorit të Grupeve Punuese të Këshillit të Evropës, duhet të ketë veprime konkrete sa i përket liberalizimit të vizave dhe se BE-ja duhet të mos vazhdojë së kërkuari kushte të tjera.

Sipas tyre, nëse vendi do të kushtëzohet me sistemin për siguri ETIAS, atëherë liberalizimi i vizave do të shtyhet edhe më shumë.

Kanë mbetur më pak se një javë që vendet anëtare të Bashkimit Evropian, t’i dërgojnë komentet e tyre rreth çështjeve teknike lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komentet do t’i pranojë Presidenca Çeke e Këshillit Evropian para mbledhjes së radhës të Grupeve Punuese të KiE-së, të cilat mbahen më 9 dhe 10 nëntor.

E në takimin e radhës, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se duhet të ketë veprime konkrete dhe të qartësohet rrugëtimi i Kosovës në këtë proces.

Ndërkaq, lidhur me propozimin e zyrtarëve francezë që Kosova ta funksionalizojë sistemin për siguri ETIAS, njohësit e fushës kanë thënë se kjo do të shtynte vendimin për heqjen e vizave për vendin.

Një ditë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorët e Francës, Belgjikës, Holandës e Suedisë, për të diskutuar për pas raportimeve se sistemi ETIAS është kushti i ri për vizat.

Osmani ka kërkuar që kërkesat e ngritura nga disa shtete anëtare të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, duke thënë se një situatë e kundërt do t`i diskriminonte qytetarët e Kosovës.