Aleksandar Vlajiq, pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) dhe personi i parë i dënuar në Kosovë për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë, ka pranuar se ka rekrutuar punëtoren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Sipas aktakuzës që ai e ka pranuar, Vlajiq mbledhte informacione për BIA-n jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga EULEX, UNMIK dhe KFOR, duke përdorur një rrjet bashkëpunëtorësh të komunitetit serb në organizata ndërkombëtare.
Më 5 qershor Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar pjesëtarin e BIA-s, Aleksandar Vlajiq, me pesë vjet burgim.
Spiuni i Agjencisë për Siguri të Inteligjencës së Serbisë – BIA, e ka pranuar fajësinë edhe se e ka rekrutuar punonjësen e OSBE-së, e cila është në paraburgim.
Ndërsa në lidhje me komunikimet e të pandehurit Vlajiq me të pandehurën Jelena Gjukanoviq, të cilën edhe e ka rekrutuar në shërbimin e BIA-s, duke e vënë në kontakte me zyrtarët e saj (të BIA-s dhe organizimin e takimeve me zyrtarët e saj), dhe e cila i ka ndihmuar në vazhdimësi me ofrimin e informacioneve dhe dokumenteve tepër sensitive të punës së misionit të OSBE-së në Kosovë, e që kanë të bëjnë me sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, që janë elaboruar në kuadër të raportit policor me numër reference 08/1- 03/103/2025, respektivisht nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike të të pandehurës së lartcekur”, thuhet në aktakuzën ndaj Vlajiqit.
Me Gjukanoviqin sipas aktakuzës, Vlajiqi ka komunikuar me shtatë numra në mënyrë që t’i humbte gjurmët.
Ndër të tjera, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq i ka çuar raporte të brendshme të OSBE-së dhe informata nga takimet e ish-shefit të misionit, Michael Davenport.
Gjatë komunikimit të agjentit të dënuar dhe të dyshuarës si agjente Jelena Gjukanoviq, sipas prokurorisë, ata e quanin BIA-n “firma”.
“Kjo konfirmohet në komunikimin e realizuar ndërmjet tyre të dt. 7 dhjetor 2022, ora 16:11:02, ku pasi që Jelena i dërgon disa fotografi nga raportet zyrtare të OSBE-së, më pas thekson se “mendoj se pas këtyre ata (BIA) do të të ndalojnë t’u dërgoni raporte nga unë”, sepse “do të lodhen duke lexuar”. Ndërsa i pandehuri Vlajiq i referohet BIA-s me termin “firma”, dhe i thotë Jelenës se “ata (BIA) janë një firmë e madhe dhe me shumë njerëz të mençur”. Më pas e konfirmon se materialet që ka pranuar nga Jelena, i ka dorëzuar tek BIA, pasi që Jelena ankohet se është lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkruante (por vetëm të fotografonte raporte) dhe i pandehuri Vlajiq i thotë “pusho, të gjitha janë të qarta, ata (BIA) i kanë të gjitha ato dhe ka kush merret me to”, thuhet tutje në aktakuzë.







