Vlabon Krasniqi flet për situaten me Covid-19

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka deklaruar se numri i pacientëve të infektuar me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim spitalor është mjaftë i ulët , derisa edhe gjendja klinike e të shtrirë konsideron se është stabile. E kjo situatë e qetë pandemdike Krasniqi thotë se iu ka ofruar mundësi që tashmë fokusi i punës të kthehet edhe tek listat e gjata të pritjeve për operime të pacientëve në klinikat e QKUK-së.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi në një intervistë për KosovaPress ka deklaruar se tash e sa kohë trajtimi klinik i pacientëve me COVID-19 po bëhet vetëm në Klinikën Infektive dhe atë të Pulmologjisë, në këtë të fundit ai thotë se kryesisht trajtohen vetëm pacientët post-COVID.

Gjendje shumë e qetë konsiderohet të jetë edhe në spitalet e përgjithshme.

Krasniqi: Gjendja e rasteve me pacientët me koronavirus është stabile

“Gjendja sa i përket rasteve me pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është jashtëzakonisht stabile, kemi numër të vogël të pacientëve që janë të shtrirë në QKUK tani për tani kemi vetëm në dy klinika që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe Pulmologji. Në fakt në Pulmologji tani të gjithë pacientët janë post-COVID të cilët pasi e kanë kaluar COVID-in për shkak të komplikimeve të ndryshme kryesisht në mushkëri. Ndërsa, në spitalet e përgjithshme kemi numër fare simbolik të pacientëve që janë duke u trajtuar”, tha ai.

Kreu i QKUK-së derisa shpreson që Kosova nuk do goditet edhe nga ndonjë valë tjetër e pandemisë, bënë thirrje për kujdes dhe respektim të masave anti-COVID që janë në fuqi.

Krasniqi:Shpresojmë mos të kemi ndonjë valë tjetër në të ardhmen

“Është e vështirë të parashikohet gjëra se si do rrjedhim sidoqoftë ne jemi duke e përcjell situatën me vëmendje dhe institucionet përkatëse janë duke e përcjell situatën epidemiologjike. Ne jemi duke u marr me situatën klinike dhe jemi duke përcjell po ashtu rastet klinike që kanë nevojë për trajtim spitalor edhe në shtetet tjera dhe varësisht nga situata që do na paraqitet neve. Megjithatë shpresojmë që nuk do na paraqitet ndonjë valë tjetër e ardhshme për këtë arsye duhet të kemi kujdes ende sepse virusi është ende prezent dhe përkundër lirim të masave qytetarët në mënyrë individuale dhe kolektive duhet të jenë të vëmendshëm”, theksoi Krasniqi.

Lidhur me listat e gjata të pritjeve për ndërhyrje kirurgjike por edhe për analiza të ndryshme, Krasniqi thotë se në këtë situatë ka ndikuar edhe pandemia. I pari i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi deklaron se situata e qetë epidemiologjike në vend tashmë u ka krijuar mundësi që të adresohet ky problem.

Si shkaktar të krijimit të listave të gjata të pacientëve për të kryer ndonjë operim apo analiza ai rendit mungesën e sallave kirurgjike dhe mungesën e materialeve shpenzuese që kanë kosto të lartë.

Krasniqi: Po punojmë në zvogëlimin e listave të pritjeve nëpër klinikat e QKUK-së

“Listat e pritjeve nuk janë krijuar vetëm për shkak të pandemisë, por listat e pritjeve nëpër disa klinika të QKUK-së sidomos për intervenime kirurgjike janë të vjetëra disa klinika kanë lista të pritjes që nga viti 2017, 2018 e më tutje sigurisht që edhe pandemia ka përkeqësuar këtë situatë megjithatë ne këtë javë dhe këtë muaj që po e kalojmë të qetë nga COVID-19 jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë në zvogëlimin e këtyre listave të pritjes. Sidomos në Klinikën e Ortopedisë para dy jave kemi filluar operacionet me proteza, po ashtu edhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe në njësinë intensive dhe atë koronare pas lirimit të hapësirave që kanë qenë me COVID dhe në Klinikat tjera janë duke vazhduar me të madhe me u marr me lista e pritjes në mënyrë që t’i zvogëlojmë. Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm që këto lista të pritjes nuk mund të zvogëlohen në një periudhë të shkurtër por në një periudhë më të gjatë kohore sigurisht do vijë edhe deri tek eliminim i plotë i tyre…Në shumicën e tyre më shumë nevojitet hapësira të sallave kirurgjike dhe më tepër material shpenzues pasi disa nga to kushtojnë edhe shtrenjtë“, tha Krasniqi.

Ditë më parë infermierët të cilët u angazhuan nga ministria e Shëndetësisë gjatë vrullit të pandemisë kanë protestuar pasi së fundmi janë larguar nga puna, e për këtë drejtori i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar thotë se përkundër nevojave për më shumë infermierë në SHSKUK nga MSh iu është thënë se nuk janë mundësitë për një gjë të tillë.

Krasniqi: Edhe pse kemi nevojë për infermierë, na është thënë që nuk ka mundësi të vazhdohen ato kontrata

“Një pjesë e infermierëve por edhe e stafit tjetër mbështetës kanë qenë të angazhuar gjatë pandemisë me kontrata me afat të caktuar, tani ato kontrata kanë përfunduar. Ne do dëshironim dhe kemi nevojë për të pasur infermierë më shumë në sistemin shëndetësor dhe klinikat tona por tani për tani na është thënë se këto janë mundësitë dhe nuk ka mundësi tutje për të vazhduar ato kontrata”, u shpreh Krasniqi.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë me COVID-19 janë prekur 7 qytetar, ndërsa për dallim prej dy ditëve më herët kur janë shënuar viktima, në ditën e djeshme nuk është regjistruar asnjë person i vdekur si pasojë e infektimit.

Në nivel vendi aktiv me koronavirus vazhdojnë të jenë edhe 166 persona./B.Ibishi/