Vjosa Osmani zbulon (jo)rastësisht se si u mashtruan kosovarët me 22 nëntor – 48 orë nuk i kishte kërkuar Amerika, por vetë Kosova

Kur me 21 nëntor pritej që të fillonte aplikimi i masës për gjoba të veturave me targa ilegale meqë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk gjetën dot gjuhë të përbashkët në takimin e gjatë në Bruksel, rruga u duk se kishte takuar murin.

Kosova refuzonte të shtynte vendimin dhe nuk pranoi propozimin e BE-së.

Në momentin që supozohej fillimi i implementimit të gjobave dhe rreziku për shpërthim u rrit më shumë se kurrë, si nga qielli erdhi një cicërim në Twitter e Ambasadorit amerikan që shtronte kërkesë për Qeverinë e Kosovës edhe për një shtyrje 48 orëshe.

Shtyrja u kërkua në orën 12:00 të natës.

Kërkesa amerikan u projektua në publik si sukses i arritur nga kryeministri Kurti me politikën e tij të qëndresës dhe dinjitetit.

Vetëm pak minuta më pas kryeministri i Kosovës u përgjigj po në Twitter se po e pranonte këtë kërkesë.

Një muaj më vonë nga kjo situatë, Vjosa Osmani, ka zbuluar se në fakt nuk ishte kërkesë amerikane shtyrja, por një fizkulturë që po ndodhte prapa dyerve të mbyllura.

Ishte vetë Kosova që kishte kërkuar nga Amerika që t’i kërkonte Kosovës shtyrje që më pas Kosova ta pranonte.

Për ta larguar hutinë e fjalisë është mirë të përsëritet me emra individualë.

Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që i kishte kërkuar Ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, që ky t’i kërkonte kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shtyhet vendimi për 48 orë.

“Pasi që dështoi arritja e marrëveshjes, atëherë unë kam telefonuar menjëherë ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh”, tha Osmani gjatë një interviste në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Kërkesën tha se e ka bërë “në një telefonatë me ambasadorin” duke “insistuar që në 48 orësh ta kemi një involvim shumë më të fuqishëm të SHBA-ve”.

Vëmendje, presidentja e Kosovës po kërkonte nga SHBA-të që të kërkojnë nga Kosova shtyrje.

Dhe bindja e amerikanit për këtë kërkesë të çuditshme nuk ishte e lehtë.

“Ka pasur një diskutim të gjatë” tha Osmani dhe “pas këtij diskutimi shumë të gjatë ai ka marrë përsipër që këtë kërkesë ta përcjellë në SHBA dhe diku pas mesnatës është marrë akordimi nga SHBA për këtë 48 orësh”.

Sipas Osmanit e gjithë kjo po ndodhte pa dijeninë e kryeministrit dhe partnerit të saj politik, Albin Kurti.

Vetëm “pastaj kemi biseduar me kryeministrin njëkohësisht që ky të bëhet edhe një lloj pajtimi i Kosovës”, sqaroi Osmani.

Më pas, presidentja tha se “u pajtua” kryeministri dhe “ka diskutuar pastaj edhe me përfaqësuesit e SHBA-ve” dhe “nuk ka pasur hezitim që të pranohet”.

Kur Hovenier kishte bërë këtë kërkesë në Twitter në Kosovë publiku po priste në ethe se a do ta pranojë Kurti, kur në fakt, siç zbulon Osmani, çështja ishte a do pranonte Hovenier ta bënte kërkesën, sepse Kosova mezi e priste – për më tepër vetë e kishte iniciuar.

Afati u vendos. Angazhimi diplomatik u shtua dhe Kosova e pranoi më pas edhe marrëveshjen në Bruksel në kushte shumë më të rënda se që ishte fillimisht.

Derisa marrëveshja e parë kërkonte nga Kosova shtyrje me afat dhe njihte statusin ilegal të targave, në marrëveshjen e mëvonshme shtyrja u vendos pa afat dhe gjithashtu targat u legjitimuan.

Kosova kaloi nga pamundësia teknike e konfiskimit të targave ilegale në krijimin e hapësirës juridike përmes marrëveshjes në Bruksel që ato të lejohen të qarkullojnë.

Prej atëherë e tash, vetura me targa serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshon Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë si qëndrim politik i këtij shteti duke e projektuar Kosovën ende si pjesë të Serbisë, lëvizin lirshëm nëpër territorin e shtetit.

Gjithsesi, në dritën e zhvillimeve të reja, kur Kosova u ka garantuar amnisti edhe banditëve me maska, organizatorëve të barrikadave, hedhësve të bombave dhe atyre që plagosën policin e Kosovës, ankimi për targa ilegale duket kërkesë tekanjoze.

Siç është parë në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, “lidershipi i Kosovës i ka garantuar (SHBA-në dhe BE-në) se nuk ka asnjë listë të serbëve të Kosovës për t’u arrestuar apo përndjekur”.

Gjithashtu, në po të njëjtin njoftim, vendosja e barrikadave është quajtur “protestë paqësore”./AP