Vjosa Osmani vazhdon të pasurohet, pasi që vjet bleu tokë 100 mijë euro, tash blenë edhe shtëpi super luksoze në ‘Marigonë’

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kandidatja për presidente në listën e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani, është bërë me shtëpi të re në lagjen luksoze “Marigona Hill”.

Lajmin për blerjen e shtëpisë në lagjen e të pasurve të Prishtinës e ka dhënë kandidati për deputet nga radhët e AAK’së, Daut Haradinaj.

Haradinaj tha se Vjosa Osmani ka blerë shtëpi në “Marigona Hill”, tek i njëjti pronar që e ka edhe “Marigona Residence” dhe për këtë është dashur të vihet në dijeni edhe Albin Kurti.

“Zonja Osmani hiç s’ka shumë kohë që ka marrë shtëpi në Marigona Hill edhe bash te i njëjti pronar, edhe ajo nuk mundet neve mena kallxu, këto mundet me ia shit najkujt nëpër studio, te lagja Marigona Hill, te i njëjti pronar, zonja e nderume është dashtë me u konsoltu me zotin Kurti këtë rast”, tha Haradinaj në TV Dukagjini.

Kujtojmë se projekti më i ri “Marigona Hill” zë vend në pjesën e Prishtinës së Re, me lokacion pas Pallatit të Drejtësisë, në afërsi të Liqenit të Badovcit dhe njëkohësisht pranë parkut të Gërmisë.

Por sa është e pasur në të vërtetë Vjosa Osmani?

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin e kaluara, Osmani ka deklaruar se në vitin e kaluar ka blerë tokë 4.90 ari në vlerë prej 100 mijë eurove.

Në deklarimin e pasurisë, Osmani e ka deklaruar që parcela e blerë nga kursimet është në emër të përbashkët me bashkëshortin e saj.

Osmani gjithashtu ka deklaruar se posedon në emër të saj një banesë të cilën e ka blerë në vitin 2010 në vlerë prej 40 mijë eurove e cila është e papërfunduar. Si të sajë e ka deklaruar edhe një garazhë në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove.

Në emër të bashkëshortit të saj, Osmani ka deklaruar edhe një banesë që është blerë në vitin 2011 në vlerë prej 67 mijë eurove.

Dy shtëpi po ashtu në emër të bashkëshortit e blerë njëra në vitin 2002 në vlerë prej 120 mijë eurove dhe tjera në vitin 2004 në vlerë prej 180 mijë eurove.

Kryetarja e Kuvendit nuk ka deklaruar se posedon veturë. Një të tillë e ka deklaruar vetëm në emër të bashkëshortit në vlerë prej 7 mijë eurove.Kryekuvendarja i ka deklaruar si para të gatshme në bankë 6 mijë e 226 euro.

Gjithashtu, ajo në bankë i ruan edhe 6 mijë e 175 dollarë.

Osmani ka deklaruar se ka detyrime ndaj një banke 10 mijë euro.Ndërsa, të hyrat vjetore gjatë vitit 2019 të Vjosa Osmanit kalonin shumën e 27 mijë eurove. Paga dhe mëditjet brenda një viti ishin 16 mijë e 811 euro ndërsa mëditje nga udhëtimet 2 mijë e 90 euro.

Osmani ka deklaruar edhe pagën vjetore që merr në Universitetin e Prishtinës në shumë prej 2 mijë e 763 euro.