Vjosa Osmani uron Dua Lipën: Albumi i saj erdhi në një kohë të vështirë, meriton mirënjohje për gëzimin që muzika e saj ka sjellë në të gjithë botën

Këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare, Dua Lipa ka dominuar natën e mbrëmshme (e martë) në Brit Awards.

Ajo fitoi dy çmime të rëndësishme në atë që njihet si mbrëmja më e madhe muzikore e ndarjes së çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Dua u shpërblye fillimisht për çmimin “Artistja më e mirë solo e vitit”, teksa më pas fitoi edhe një nga çmimet më të rëndësishme të mbrëmjes, atë për “Albumin më të mirë të vitit”, për albumin “Future Nostalgia”.

Këtij suksesi i janë gëzuar fansa të shumtë të artistes, në veçanti shqiptarët të cilët krenohen kudo me sukseset e saj.

E lumtur për këtë arritje të 24-vjeçares u shpreh edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e uroi Duan përmes një statusi në rrjetin social Twitter.

“Urime yllit tonë për dominimin në Brits 2021 natën e kaluar! Albumi i saj i fundit erdhi në një kohë të vështirë për shumë njerëz dhe ajo meriton mirënjohje për gëzimin që muzika e saj ka sjellë në të gjithë botën. Me dashuri nga Kosova”, ka shkruar Vjosa Osmani në Twitter.

Dua Lipa mbajti një fjalim emocionues kur pranoi çmimin e parë, duke ua dedikuar atë të gjithë punëtorëve shëndetësore të vijës së parë të frontit, për punën e palodhur të bërë gjatë pandemisë.

Ajo shfrytëzoi rastin që edhe t’i dërgojë një thirrje kryeministrit britanik, Boris Johnson, për një rritje page për personelin shëndetësor, në nderë të punës që kanë bërë gjatë gjithë situatës pandemike të shkaktuar nga COVID-19.