Vjosa Osmani tregon nëse do të jetë kryetare e Kuvendit nëse formohet qeveria e re

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka trajtuar kërkesën e 22 deputetëve për formimin e një komisioni hetimor për punën e qeverisë rreth pandemisë Covid-19. Këta të fundit kanë propozuar që 4 qershor të jetë data kur në seancën plenare duhet të trajtohet formimi i këtij komisioni hetimor.

Pas mbledhjes së këtij komisioni i cili zgjati më shumë se tri orë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se janë dakorduar që të mbahet edhe një mbledhje, para mbajtjes së seancës plenare.

Ndërkohë që Osmani nuk ka deklaruar se nëse do të vazhdojë të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës, në rast se formohet qeveria e re, duke thënë se veprimet që do të ndërmarrë varen nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese

“Unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht do të mund të përgjigjem vetëm atëherë kur do të kemi aktgjykimin. Besoj shumë në integritetin profesionalë të gjyqtarëve dhe pastaj do të shohim se cilat do të jenë veprimet që do të ndërmerren pas atij aktgjykimi. Në momentin që e kemi një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, gjithçka tjetër do të varet nga ajo. Për momentin kemi situatë hipotetike dhe nëse do të përgjigjem saktë, do t’i bie që po e paragjykoj”, ka deklaruar Osmani.

E para e Kuvendit të Kosovës, tha se në këtë mbledhje nuk ka pasur konsensus për procedimin e nismave legjislative, për shkak të qëndrimeve të ndryshme se a duhet t’i drejtohen qeverisë.

“Sot e kemi trajtuar edhe propozimin e 22 deputetëve nënshkrues për formimin e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga ana e qeverisë. Iniciatorët, deputetët nënshkrues kanë propozuar që 4 qershori të jetë data kur në seancë plenare trajtohet formimi i këtij komisioni hetimor. Pasi që kemi më pak se 40 nënshkrime, komisioni nuk formohet automatikisht, patjetër duhet vendim i seancës plenare”, tha Osmani.

Sa i përket deputetit Etem Arifit, Osmani ka treguar se ka kërkuar një interpretim edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Kuvendit, dhe kësisoj Kuvendi nuk ka se çka të bëjë në këtë rast.

“Nga Komisioni për Legjislacion të cilit i jam drejtuar në përputhje të plotë me rregulloren e Kuvendit, nuk kanë dhënë opinion, por thjesht kanë thënë që duhet të shihen praktikat e mëhershme. Në fakt, kushdo që lexon dokumentin sa i përket zotëri Arifit, me kujdes shihet që nuk kemi pasur praktika të tilla të mëhershme. Por, vendimi merr formën e prerë në gusht 2019, në legjislaturën paraprake, kurse Kuvendi njoftohet për një vendim të tillë në këtë legjislaturë. Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës ka dhënë një interpretim sipas së cilës Kuvendi nuk mund të veprojë në këtë aspekt, sepse vendimi i formës së prerë për zotëri Arifin, ka marrë plotfuqishmërinë e vet më 20 gusht 2019. Gabimi apo lëshimi është bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka kritere të sakta brenda së cilës duhet të mandatojë deputetin”, ka deklaruar Osmani.

Veç tjerash, Osmani tha se KQZ duhet të veprojë në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me certifikimin e deputetëve. Sipas saj, gjykatat duhet të kenë parasysh që për secilin deputet që ka aktgjykimi për dënime, duhet të njoftohet Kuvendi i Kosovës, dhe jo siç tha ajo të pritet një vit.