Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re të qeverisjes.

Ajo pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka thënë se udhëheqja e qeverisë duhet të jetë nga LDK-ja.

Ndërkaq duke komentuar deklaratat e Sveçles i cili tha se zgjedhja e kandidatit për kryeministër nga LDK-ja ishte tinzar dhe si i tillë tregon se kjo parti nuk do koalicion parazgjedhor, Osmani ka thënë se deklaratat e tilla tregojnë që bashkëpunimin nuk e kanë të sinqertë.

Ajo tutje ka shtuar se shpreson që deklaratat e tilla të mos jenë qëndrim edhe i kryesisë së Vetëvendosjes.

“Udhëheqja e qeverisë të jetë nga LDK-ja. Fokusi ynë për bashkëqeverisje është me Vetëvendosjen por jemi të bindur që LDK do t’ia kthej republikës primatin dhe qytetarëve shpresën në shtet. VV-ja duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re, të ndryshmeve të mëdha që do ta ç’kapin shtetin nga krimi e korrupsion. Deklaratat e tilla tregojnë se bashkëpunimin nuk e kanë të sinqertë por besoj që ato deklarata të mos jenë të figurave të larta të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

Ndërkaq nënkryetari Lutfi Haziri ka thënë se LDK-ja e mbështetë arritjen e një marrëveshjeje me Vetëvendosjen.

Ai tutje ka bërë thirrje që së bashku të vazhdojnë ta gjejnë rrugën më të shpejt dhe më të shkurt që koalicioni të mbyllet sa më shpejt.

“Unë dhe Osmani e mbështesim arritjen e një marrëveshje. Unë kisha apeluar të jenë të përmbajtur nga deklarimet e tilla edhe nga LDK edhe nga VV. Vjosa nuk është vetëm kandidate e mirë për LDK por edhe për VV. Ne iu bëjmë thirrje të vazhdojmë të gjejmë rrugën më të shpejt dhe më të shkurt dhe ky proces të mbyllet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

loading…