Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në emër të grupit parlamentar të kësaj partie, ka adresuar shumë kritika për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Ajo tha se ky projektligj po i jep legjitimitet presidentit të vendit dhe po legalizon planet e tij për copëtimin e vendit.
“Para nesh kemi një ligj që i jep legjitimitet presidentit dhe legalizon planet e tij për copëtim të vendit që deri tani nuk gjenin aleat por mbetnin nën plane ruso-serbe. Ky projektligj hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocim edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe e të tjera”.
“Ky ligj ka një kusht, që kur Thaçi të shkojë në Bruksel t’i marrë edhe disa me vete por disa të tjerë që nuk do të lejojnë copëtim por që e legjitimojnë atë”.
“Gjithçka sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare përfshirë ato potenciale që mund të lidhen me Serbinë janë të rregulluara me nenin në Kushtetutën e Kosovës. Pra me këtë po mundohet të bëhet materie kushtetuese”.
Ajo ka shtuar se ky projektligj është jotransparent.
“Sa i përket transparencës, kemi dëgjuar qeverinë të flasë por ky ligj e bën të kundërtën – e vranë transparencën, kësaj radhe edhe me ligj”.
Deputetja e LDK-së shtroi pyetjen se me kë po negocion Ekipi Shtetëror për Dialog dhe çfarë roli ka presidenti Hashim Thaçi në këtë proces, shkruan EO.
“Pyetja ime është me kë do të negociojë ky ekip derisa e përligj rolin e presidentit nëpërmjet këtij ligji dhe garanton që mund të vazhdojë negociatat për vendin. Me kë do të negociojë, që në ligj thuhet 11 anëtarë por në fakt ka 12 anëtarë. A është presidenti anëtari i 12-të që nuk është përmend”.
“Si është e mundur që kemi përmend tetë emra të opozitës kurse në ligj flisni për emra krejt të tjerë. U tha që timoni do t’i jepet Kuvendit por nëse lexojmë timonier është një zëvendëskryeministër dhe një kryetar komune”.
“Madje po tentoni ta eliminonin rolin e kuvendit. Po tentoni të formoni një komision Ad-Hoc që të marr kompetenca që i takojnë grupeve parlamentare”.
Deputetja e LDK-së deklaroi se ka shumë gjëra që duhet të eliminohen në këtë ligj përderisa shtoi se duhet të fillohen me ndryshimet e amdanmenteve një nga një.







