Vjosa Osmani i del në krah Albin Kurtit: Nuk e sulmoi NATO-n

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka dalë në mbrojtje kryeministrit, Albin Kurti lidhur me shkëmbimin e letrave ndërmjet presidentit Hashim Thaçi në kohën sa ishte kryeministër dhe ish sekretarit të NATO-s, Rasmussen për mos shkuarjen e FSK-së në veri pa miratimin e KFOR-it.

Ajo përmes një postimin në Facebook ka shkruar se Kurti, nëpërmjet një letre, ka sjellë në vëmendje të Kuvendit një shkëmbim letrash të datës 19 prill 2013 ndërmjet ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me ish-sekretarin e NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.

“Meqë në letrën e tij, Kryeministri i vendit e nënvizon rëndësinë e informimit të të gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur me këto dokumente dhe asnjëra nga to nuk janë cilësuar si të klasifikuara sipas ligjeve në fuqi, ju kam përcjellë deputetëve të plotë letrën e Kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet Kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, respektimi i Kushtetutës së Kosovës është obligim i të gjithëve, siç është edhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me partnerët tanë strategjikë.

“Në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, kam vlerësuar kontributin e kësaj force dhe të NATO-s në 20-vjet të angazhimit të saj për një Kosovë të sigurt dhe e kam siguruar që mbesim të përkushtuar për një bashkëpunim të thellë. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes i yni shtetëror. Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avansim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, ka shkruar ajo. /Ballkani.info/