Pos rrethojave të objektit të Qeverisë së Kosovës, është vendosur që të hiqen edhe rrethojat e objektit të Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Blic nga burime Brenda Kuvendit, ka marrë vesh se është kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ajo e cila nuk ka lejuar që sot të hiqen këto rrethoja.
“Me kërkesën e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani nuk është lejuar që sot të hiqen këto rrethoja të objektit”
Heqjen e rrethojave sot e ka komentuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë që kishte me gazetarë.
Kurti ka deklaruar se ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla ka kërkuar rekomandim për këtë çështje edhe nga policia.
Ai thotë se të njëjtat është dashur që të hiqen më herët, e thotë se nuk ka mungesë të sigurisë.
“Ushtruesi i detyrës së Ministrit të punëve të brendshme i ka shkruar një kërkesë për heqjen e këtyre rrethojave që kemi pasur ndërmend t’i heqim edhe më herët, pasi që janë hequr vonë, ai e ka pasur parasysh edhe shqetësimin që mund të ketë ardhur nga policia, mirëpo, ato i ka trajtuar me kujdes, nuk ka mungesë sigurisë, jam plotësisht dakord që oborri qeverisë dhe sheshi të mos kenë pengesa në mes”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, Policia i kishte kërkuar Qeverisë që të mos hiqte rrethojat për shkaqe të sigurisë.
Policia e Kosovës e ka njoftuar Qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, për rrezikun që mund ta sjell heqja e rrethojave të objektit të Qeverisë dhe të Kuvendit.
Në një letër të drejtorit të Policisë sqarohet se sa e rëndësishme është siguria e asaj hapësire.
Përkundër rekomandimit të Policisë, Qeveria i ka hequr sot ato rrethoja.Drejtori i Policisë së Kosovës, më datë 14 prill, i ka dërguar Qeverisë një letër, në të cilën i rekomandon që të mos hiqen rrethojat nga objekti i Qeverisë. Sipas sqarimeve të Qalajt, vet ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka sqaruar idenë e heqjes së rrethojave në objektët ku kryejnë punën tre liderët më të lartë shtetërorë: Presidenti, Kryeparlamentarja dhe Kryeministri.
Sipas letrës të Rashit Qalajt , Ministria e Punëve të Brendshme i ka kërkuar Policisë së Kosovës vlerësim për idenë që të hapet për këmbësorë hapësire përreth objektit të Qeverisë dhe të Kuvendit.
Qalai ka dërguar rekomandimet e Policisë sekretarit të Ministrisë së Brendshme, Arton Berisha, të cilit i tregon se njësitet relevante të Policisë e kanë analizuar terrenin.
“Ekipi i NJVKRR-së (Njësia për Vlerësimin e Kërcënimit dhe Rrezikut) ka dalë në terren ku drejpërsëdrejti nga Zv.ministri i MPBAP’së, z. Sveçla, dhe zyrtarët e Administratës Publike ka marrë informatat ideore se ku planifikohet të shtrihet hapësira për kalimin e këmbësorëve dhe menjëherë ka filluar me kujdes të analizojë informatat në dispozicion sa i përkët sigurisë së tre (3) objekteve të isntitucioneve kryesore të vendit e posaçërisht sigurinë e këtyre objekteve në rast se vendoset që hapësira për kalimin e këmbësorëve të realizohet”, ka shkruar Qalaj.
Tutje Qalaj ka përmendur se këto hapësira përdorën për pritje ceremoniale të liderëve botërorë kur vizitojnë Kosovën dhe se në të njëjtat hapësira janë të vendosura sistemet për ajrosjen e hapësirave, serverët e Ministrisë së Financave, që, sipas Policisë, janë jetike për funksionimin e punës normale dhe të sigurt të këtyre zyrave.
Qalaj i ka treguar MPB’së se projekti i heqjes së rrethojave ndikon direkt në kërcënimin e sigurisë.
Ky vendim i Qeverisë ka nxitur reagime të shumta të partive politike.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka reaguar pas heqjes së rrethoja nga objekti i Qeverisë.
Gjini me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të sqarojë se a eshtë pyetur për heqjen e rrethojave të objektit të qeverisë.
Tutje ai thotë se ky është një veprim popilist i panevojshmëm që i komplikon edhe më tej sfidat e sigurisë.
Postimi i plotë:
Policia e Kosovës duhet të sqarojë se a eshtë pyetur për heqjen e rrethojave të objektit të qeverisë.
A i ndryshon ky vendim rregullat e angazhimit për sigurimin e objektit?
A duhet të angazhohen më shumë polic për sigurim?
A ka ndryshim të protokoleve?
Vendim populist totalisht i panevojshëm dhe që i komplikon më tej sfidat e sigurisë.







