Vjosa Osmani bashkë me Nagavcin shkojnë te Arben Vitia flasin edhe për veprimet që duhen bërë pas 13 prillit

Gjatë ditës së sotme, Ministri i Shëndetësisë  Arben Vitia bashkë me zv/ministrat Sreten Trajkoviq dhe Izet Sadikun pritën në takim kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmanin dhe nënkryetaren, Arbërije Nagavci.

Ministria përmes një komunikate ka njoftuar se në këtë takim u diskutua për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Znj. Vjosa Osmani në këtë takim falënderoi ministrin Vitia dhe të gjitha institucionet e përfshira në parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë. Sipas saj, masat e ndërmarra në kohë kanë ndikuar që sot në vend të kemi një situatë më të mirë krahasuar me shtetet e rajonit” thuhet në njoftim

Tutje, Osmani tha se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngusht përballë këtij “armiku të padukshëm”, i cili nuk njeh as ndarje politike e as etnike.

Ndërsa ministri Vitia i falënderoi Osmanin dhe Nagavcin për gatishmërinë e treguar, si dhe i njoftoi për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit.

Në këtë takim u ripërsërit qëndrimi se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Ndër të tjera u disktua edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, thuhet në njoftim