Vjosa Osmani: 30 Prilli i vitit 1999, ndër ditët më të rënda në historinë e re të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Vërboc e Shtuticë në 22 vjetorin e rënies të heroit Ila Kodra dhe dëshmorëve të tjerë, shkruan Ballkani.info

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo ka thënë se 30 Prilli i vitit 1999 ka qenë një nga ditët më të rënda të historisë së re të Kosovës.

Postimi i plotë:

Tridhjetë prilli i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda në historinë e re të Kosovës. Në këtë ditë, forca ushtarake, policore e paramilitare të regjimit serb vunë nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth duke vrarë mizorisht afër 300 civilë shqiptarë.
Heroi Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët e UÇK-së, qenë shndërruar në mburojë të popullatës civile në Vërboc e Shtuticë, kur forcat serbe me makineri luftarake mësynë kundër tyre.
Sot, në 22-vjetorin e rënies, e kujtuam veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve e të rënëve të kësaj zone.
Ilazi ishte ushtar i hershëm i lirisë, pjesëmarrës i shumë betejave në Drenicë dhe bashkëveprimtar i komandant Adem Jasharit. Ai e dha jetën e tij duke i mbrojtur jetët e të tjerëve, njerëzve të pambrojtur, që ishin bërë cak i vazhdueshëm i forcave serbe.
Duke vendosur lule pranë bustit të tij, ne e nderuam atdhetarizmin, heroizmin dhe përkushtimin e tij për lirinë, si dhe sakrificën e tij për mbrojtjen e popullatës së pambrojtur.
Në kullën e tij, e cila ruan dëshmitë e qëndresës së brezave të familjes Kodra, e rikujtuam qëndresën tonë historike.
Në Kompleksin Memorial në Marinë, ku komandant Ilazi prehet së bashku me shumë heronj të tjerë, u përkulëm në nderim të veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve, pa të cilët liria do të mbetej vetëm synim.
I përjetshëm kujtimi për të rënët!