Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar pas dështimit të seancës së Kuvendit.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se kryetarja e Kuvendit për shkak të inateve me PDK-në ua mohoi qytetarëve pakon ekonomike.

Gjoshi ka shtuar se Osmani nuk i intereson interesi i qytetarëve pasi që ajo merr tre mijë euro pagë.

Shkrimi i plotë nga Betim Gjoshi:

VJOSA OSMANI U MOHOI QYTETARËVE PAKON EKONOMIKE

>> Ajo merr mbi 3 mijë euro rrogë mujore

Vjosa Osmanit nuk i interesojnë qindra-mijëra familjet kosovare dhe jeta e tyre në kohë pandemie.

Vjosa Osmanit nuk i interesojnë qindra-mijëra bizneset kosovare se si të mbijetojnë në kohë pandemie.

Spikerja e Kuvendit, me arbitraritet, u pamundësoi deputetëve të shprehin lirshëm vullnetin për Pakon Ekonomike të propozuar nga PDK-ja për përballimin e pandemisë.

Ajo shfaqi hapur inatin politik me PDK-në vetëm e vetëm që këtë Pako që po e presin qytetarët dhe bizneset të mos e lejojë të aprovohet.

Ajo po kalkulon politikisht në kohë pandemie.

Asaj nuk i intereson as si mbijetojnë qytetarët e as bizneset. Paga neto e Vjosa Osmanit si Kryetare e Kuvendit është 2 800 euro dhe qindra të tjera i merr brenda një muaji nga Fakulteti.