Vjosa e Albini bashkë për 2 korrikun, VV thotë se Haki Abazi ishte organizator i ngjarjes

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është parë dje në një paraqitje para Kuvendit të Kosovës së bashku me kreun e LVV’së, Albin Kurtin, dhe disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

E shoqëruar nga ish’kryeministri i Kosovës e ish’zëvendëskryeministri, kryeparlamentarja Vjosa Osmani është parë dje në një aktivitet të organizuar në nder të 2 korrikut, me anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti kanë bërë të ditur se të pranishëm përveç ish’kryeministrit Albin Kurti e ish’zëvendëskryeministrit Haki Abazi kanë qenë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e shefi i grupit parlamentar të LVV’së, Rexhep Selimi.

“Me rastin e 30 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të datës 2 korrik, 1990, në po të njëjtin vend ku u mblodhën 114 delegatë asokohe, Kryetari Albin Kurti, së bashku me Kryetaren e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, Shefin e GP, Rexhep Selimi, Nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ish zv.kryeministrin Haki Abazi dhe disa delegatë që morën pjesë gjatë leximit dhe votimit të deklaratës, kujtuan rëndësinë e asaj ngjarje”, shkruan Vetëvendosje në lajmërimin për aktivitetin.

Që nga dje paraqitja e Osmanit me anëtarët e LVV’së është komentuar edhe nga disa anëtarë të qeverisë aktuale.

Zëvendësministri Halil Matoshi e ka kritikuar Osmanin për paraqitjen, duke thënë se qon në një përplasje shoqërore.