Vjetërsimi i lëndës e shpëton Kusari-Lilën, hedhet poshtë kallëzimi penal kundër saj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e ka hedhur poshtë kallëzimin penal që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë, e kishte ushtruar ndaj ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në nëntor të vitit të kaluar.

Lajmin për hedhjen poshtë të këtij kallëzimi penal, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, përfaqësuesi i autorizuar i kryetarit të AAK-së, dega në Gjakovë, avokati Meshari Selimaj.

Në kallëzimin penal,  AAK-ja pretendonte se Kusari-Lila e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës.

Fillimisht, ky kallëzim penal ndaj Kusari-Lilës ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, mirëpo kjo e fundit kallëzimin e kishte përcjellë në PSRK, si prokurori kompetente për trajtimin e saj.

Hedhja e kallëzimit penal ka ardhur për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 82 paragrafi 1, pika 1.2 të Kodit tëProcedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë aktvendim për hedhje poshtë të kallëzimit penal kundër Mimoza Kusari-Lilës – në drejtim të veprës penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin që i është dërguar avokatit Selimaj.

Ndryshe, sipas kallëzimit penal, me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija.

Tutje thuhet se, Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë, ashtu që kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.

Konfirmimin e këtij propozimi në fjalë, sipas kallëzimit penal ish-kryetarja e ka vertetuar edhe përmes kërkesës zyrtare të 17 qershorit 2015, drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht ish-ministrit Lutfi Zharku.

Këto veprime, sipas AAK-së, janë bërë me dashje në kundërshtim me Planin Rregullues Urban Revidimi Orize 1/8, sipas të cilit në një pjesë të këtij lokacioni parashihet gjelbërimi.

Tutje sipas tyre, këto veprime ajo i ka ndërmarrë krye në vete dhe në këtë mënyrë duke mënjanuar apo anashkaluar miratimin e këtij ndryshimi përmes procedurave të kërkuara.

Sipas kallëzimi penal, Kusari-Lila, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe i ka tejkaluar kompetencat e saj, duke mos respektuar projektin e aprovuar të rrugës dhe rrethrrotullimit , dhe jo ta zhvendos atë.

Gjithashtu, sipas kallëzimit penal ajo ka vepruar në kundërshtim me planin rregullues në fuqi, sipas të cilit pjesa e vogël e mbetur nga prona e familjes Bakija kishte qenë e paraparë për gjelbërim dhe si të tillë ta shpronësoje, dhe jo ta rrisë këtë sipërfaqe duke krijuar hapësirë të mjaftueshme ndërtimin e objektit kolektiv për dobi të familjes Bakija, pa miratimin e Asamblesë Komunale në Gjakovë dhe në këtë mënyrë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës.

AAK–ja me këtë kallëzim penal, i ka propozuar prokurorisë që të merret aktvendim për fillim të hetimeve për këtë rast.