Vjen reagimi i parë i Lajçakut: Do punojë ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe Amerikën

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për të parën herë nga detyra e re duke thënë se Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë në zemrën e tij, duke qenë se ka punuar një kohë të gjatë në rajon.

Në një reagim në profilin e tij zyrtar në Twitter, Lajçak ka thënë se është i nderuar për besimin që i është dhënë për një punë shumë të rëndësishme.

Ai tutje ka thënë se pret të bashkëpunojë me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës, të Bashkimit Evropian, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë afër zemrës time, duke qenë se kam punuar në rajon për një kohë të gjatë. Jam i nderuar që mu besua një punë kaq e rëndësishme. Pres që të punojë bashkë me përfaqësuesit e Serbisë, Kosovës, dhe të Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me Shtetete e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Lajçak.

Kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, sot zyrtarisht ka marrë detyrën e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi.

Lidhur me këtë zhvillim kanë reaguar nga Ambasada e Francës në Prishtinë, duke thënë se Lajçak mund të llogarisë në mbështetjen e Francës në ushtrimin e detyrës së tij si emisar për dialogun Prishtinë-Beograd.