“Vizitat në SHBA që Kurti po i sheh kaq të veçanta janë problematike, ato duhet të jenë të rregullta”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është paralajmëruar se do zhvillojë takime të ndryshme.

Kujtojmë që kjo është vizita e dytë e Kurtit në SHBA, pasi që pak javë më parë, me ftesë të familjes Albright, i pari i qeverisë mori pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare më 23 mars.

Rreth kësaj, lajmi.net, ka kontaktuar njohësin e çështjeve politike Gazmir Racin dhe anëtarin e Partisë Socialdemokrate, Nol Nushin, nga të cilët mori një prononcim në lidhje me këtë çështjeje.

Raci, kujtoi që kjo vizitë e Kurtit është premtuar më herët, duke shtuar se, më rëndësi është që po ndodh, sepse, sipas tij aleanca me SHBA-të duhet të mirëmbahet.

“Kjo është një vizitë që është premtuar që një kohë të gjatë prej kryeministrit. Tash është mirë që po realizohet në këtë moment që ka zhvillime gjeopolitike. Aleanca strategjike me SHBA-të është e rëndësishme që të mirëmbahet dhe se lëvizjet e Kosovës në kuadër të dialogut duhet të jenë gjithnjë në koordinim me qeverinë amerikane”, tha ai.

Tutje, ai tha se pret takime me njerëz vendimmarrës në politiken amerikane sa i përket Kosovës dhe çështjeve të Ballkanit Perëndimor, por, siç shtoi njohësi i çështjeve politike, nuk mund të ketë takime me krerët e Shtëpisë së Bardhë, pasi që takime të tilla, sipas tij, bëhen në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje.

“Unë pres takime të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë në Këshillin për Siguri Kombëtare edhe pres që do të ketë takime me njerëz vendimmarrës në politikën amerikane sa i përket Kosovës dhe çështjeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa sa i përket takimeve të nivelit më të lartë siç mund të jenë me presidentin ose zëvendës presidenten, nuk pres, për shkak se në bazë të përvojës takime të nivelit të tillë mund të bëhen vetëm në qoftë se ka ndonjë marrëveshje historike mes shteteve ose ka ndonjë zhvillim që duhet palët të ndihmohen. Me rëndësi është që vizita zyrtare po bëhet dhe më rëndësi është që aleanca dhe partneriteti strategjik me SHBA nuk po lëkunden po vazhdojnë të jenë të qëndrueshme”, përfundoi Raci.

Rreth së njëjtës çështjeje, Nushi nga PSD-ja, u shpreh më ndryshe, pasi që, sipas tij, këto vizita duhet të jenë të rregullta sepse prishja e marrëdhënieve me Amerikën, siç tha Nushi, nuk i konvenon askujt.

“Sot nuk e dimë se as kanë ka me taku e as çfarë takimi ka me pas. Po duket se është vizitë që duhet me qenë të rregullta dhe shpresojmë që janë të rregullta, sepse prishja e raporteve me Amerikën nuk na konvenon kurrkujt e aq më pak qeverisë”, tha anëtari i PSD-së.

Më tej, ai vazhdoi duke shtuar se, një vizitë e tillë nuk duhet të shihet si ekskluzivitet, pasi që me një shtet që e kemi aleat, vizitat duhet të jenë të rregullta.

“Kjo do të duhej të ishte një vizitë e rregullt që ne do të duhej ta kishim me një shtet që e kemi aleat. Nuk duhet të shihet kurrgjë ekskluzive, e mendoj që duke qenë kaq e rëndësishme, kaq ekskluzive dhe kaq e veçantë për Kurtin po bëhet edhe problematike, sepse po mirëmbahet një far tensioni i çuditshëm, i cili kur po mbahet një takim po duhet me u shfaq si gëzim i madh. Diçka që është dashtë me qenë shumë normale po bëhet si ekskluzive”, përfundoi Nushi.

Duhet shtuar se, kjo vizitë zyrtare e kryeministrit të Kosovës, po vjen pas më shumë se një viti që Kurti ka marrë drejtimin e qeverisë, dhe se kjo vizitë e cila po ndodhë këto ditë, është parë nga partitë tjera si vonesë dhe si një shenjë që Kosova po i prish raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.