Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) William Burns ishte dje në Sarajevë. U takua me drejtorin e Agjencisë boshnjake të Inteligjencës dhe Sigurisë, Almir Xhuvo dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe me ministrin e Jashtëm boshnjak, Elmedin Konakoviq.

Klix.ba raporton se njeriu i parë i shërbimit inteligjent amerikan qëndroi në kryeqytetin boshnjak vetëm për disa orë.

Mediumi boshnjak citon një zyrtar të qeverisë amerikane që ka thënë se Burns diskutoi tema me interes të përbashkët me zyrtarët që i takoi në Sarajevë

“Kjo përfshin integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH. Ata diskutuan gjithashtu retorikën shqetësuese shkëputëse të presidentit të njësisë së Republika Srpska, Milorad Dodik dhe qeverisë së RS”, citon Klix.ba zyrtarin e qeverisë amerikane.

Kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Denis Beqiroviq e quajti të rëndësishëm, thelbësor dhe inkurajues takimin me drejtorin e CIA, William Burns.

“Shpreha mirënjohjen time për William Burns, njeriun e parë të shërbimit inteligjent amerikan, për të gjithë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e një Bosnjë-Hercegovine demokratike dhe multietnike. Me argumente theksova rrezikun anti-Dejton të udhëheqjes së entitetit të BeH-së RS, e cila kërcënon paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon”, tha Beqiroviq.

Ai tha se kjo ishte një vizitë shumë domethënëse dhe e rëndësishme, para së gjithash nga aspekti i sigurisë, por edhe një konfirmim se administrata amerikane po monitoron intensivisht ngjarjet politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon.

Gazeta boshnjake, Avaz shkroi dje se Burns do ta vazhdojë vizitën e tij në rajon, duke shkuar nga Sarajeva në Beograd.

I pyetur nëse kjo vizitë është një mesazh për fokus më të madh të SHBA-së në rajonin tonë, ministri i Jashtëm boshnjak Elmedin Konakoviq përmendi edhe dialogun Kosovë – Serbi.

“Sigurisht që është. Ata do të shkojnë në disa destinacione të tjera në rajon dhe kjo tregon se ata po e shikojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, i cili është shumë i rëndësishëm për ne. Është gjithashtu e rëndësishme për ne që të qetësohet dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të qetësohen disa pika të nxehta, t’i drejtohemi ekonomisë dhe ardhmërisë së këtij rajoni, e jo konkurrencës dhe bërtitjes së vazhdueshme mbi faktet historike. Është e sigurt se edhe prania amerikane shkon në atë drejtim – në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve në rajon dhe kthimit në atë që është më e rëndësishme për qytetarët”, tha Konakoviq.

Burns e vizitoi Bosnjën edhe në vitin 2012 si zëvendëssekretar i Shtetit i SHBA-së.

Ai u emërua në pozicionin e drejtorit të CIA në vitin 2021.