Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandër Grushko, gjatë vizitës së fundit në Serbi, ka kritikuar ashpër presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, posaçërisht pas informacioneve të fundit se armët e prodhuara në Serbi janë duke përfunduar në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës kundër agresionit rus, ka raportuar gazeta opozitare serbe “Nova” të mërkurën.
“Grushko ka dashur të dijë se në çfarë mënyre dhe si ndodhi që armët e prodhuara në Serbi përfundojnë në frontin ukrainas. Ai ka shprehur qëndrimin se për Moskën është e papranueshme që vendet që i konsideron aleatë të ndihmojnë armiqtë e tyre në këtë mënyrë”, ka raportuar gazeta, duke u thirrur në burime. E presidenti serb ka mohuar se ka dorëzuar armë.
“Vuçiçi i ka thënë Grushkos se edhe pse armët kanë përfunduar në frontin ukrainas, ato kanë ardhur përmes vendeve të tjera, jo drejtpërdrejt përmes Serbisë, dhe se ata nuk mund të jenë përgjegjës për faktin se ndonjë shtet tjetër ka vendosur të shesë armë që më parë i ka blerë nga shteti ynë”, ka shtuar ndër të tjera burimi i njëjtë, ashtu sikurse e ka cituar “Nova”.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës më 2022, presidenti i Serbisë ka vazhduar t’i frustrojë kryeqytetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve kundër presidentit rus, Vladimir Putin, përkundër se zyrtarisht mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE).
Por ndërsa presioni i bashkësisë së organizuar perëndimore ka filluar të rritet mbi Serbinë, presidenti serb poashtu ka filluar të lejojë dërgesat e municioneve të prodhuara nga Serbia në Ukrainë. Në bazë të vlerësimeve të “Financial Times” eksportet e municioneve nga Serbia që kanë ardhur në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta kapin shumën e rreth 800 milionë eurove.
Aleanca midis Serbisë dhe Rusisë është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Rusia dhe Kina janë dy fuqitë e vetme botërore që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB).







