Shefi i NATO-s

Vizita e Stoltenbergut paraprihet nga deklarata e Kurtit për riorganizimin paramilitar të Radoiçiqit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të qëndrojë të hënën në Kosovë. Por, një ditë para vizitës së tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se po bëhet riorganizim paramilitar i Milan Radoiçiqit në Rashkë të Serbisë. Ka deklaruar se po ashtu Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Stoltenberg do të vizitojë Kosovën në kuadër të vizitave të tij edhe në Serbi, Bosnjë Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut.

Ai pritet që të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, ndërkaq në Serbi do t’i takojë krerët e shtetit po ashtu. Por ende nuk janë bërë të ditura temat e këtyre takimeve.

Të dielën, Kurti përmes një postimi ka kërkuar nga KFOR-i, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian të dalin me raport publik për t’ia atribuuar Serbisë “aktin e agresionit, krimin dhe terrorizmin”, duke i lidhur edhe me ngjarjet e 24 shtatorit.

“Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit ‘Bota Serbe’, të Vulinit e të Vuçiqit”, ka theksuar ai në Facebook.

Në një postim më vonë në Twitter, Kurti ka shkruar në rrjetin social “X” se vizita e Stoltenbergut, konfirmon vendosmërinë e NATO-s për të vendosur paqe dhe siguri në Kosovë.