Vitia tregon numrin aktual të vaksinave antiCOVID-19 që ka Kosova

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur sot rreth numrit aktual të vaksinave që vendi ynë posedon për momentin.

Ai në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur se edhe 420 mjekë dhe infermierë do t’u vijnë në ndihmë komunave për luftimin e COVID-19.

“Vdekjet në total kanë qenë 15.3 në mesatare, ndërsa përfshirë edhe atë të sotëm, 19… Numri i hospitalizimeve pritet të rritet në ditët e ardhshme. Qendrat rajonale kanë shtuar kapacitetet e veta, përveç Vushtrrisë që pritet të funksionalizohet edhe aty. Janë siguruar shumica e barnave dhe të gjitha masat e tjera të domosdoshme që i ka marrë stafi shëndetësor. Për t’iu ardhur në ndihmë në koordinim me MF, përveç 1116 personel shëndetësorë, janë edhe 420 mjekë dhe infermierë që do t’i vijnë në ndihmë komunave… Ne presim 500.000 vaksina Pfizer donacion nga SHBA, një pjesë e të cilit ka ardhur para disa ditësh 35.100, pjesa tjetër ka pasur disa vonesa, por me ardhjen e tyre që shpresojmë të jetë së shpejti, do të kemi doza të mjaftueshme edhe në stoqet ton”, tha Vitia.

Ai ka treguar për numrin aktual të vaksinave kundërCOVID-19 në Kosovë.

“38.610 vaksina Pfizer në stoqet e IKSHPK, por ka edhe një numër të konsiderueshëm që e kalon mbi 10 mijë ose 15 mijë që janë në komuna përkatëse për dozën e dytë, kurse të AstraZeneca, në IKSHPK janë 132.438 vaksina, duke llogaritur edhe mbi 5 mijë vaksina nëpër komuna”, tha Vitia.

Ministri Vitia ndërkaq ka theksuar se në momentin që do të ketë më shumë vaksina do të punohet edhe vikendeve, duke shtuar kështu edhe mundësinë e shtimit të terminëve për qytetarët.

“Në momentin kur ne kemi më shumë vaksina, punojmë të shtunën, dhe në momentin që do të kemi më shumë vaksina, do të punohet edhe vikendeve dhe do të ketë ekipe mobile”, tha Vitia./KP