Ministri i Shëndetësisë

Vitia për Kancerin e Qafës së Mitrës: PAP Testi dhe vaksinimi, mënyra parandaluese të sëmundjes malinje

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Institutin Kombëtar për Shërbime Publike kanë mbajtur tryezë diskutimi me rastin e Javës Evropiane Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se kjo sëmundje malinje i shtyn ata si ministri që të angazhohen për parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, njofton Klankosova.tv.

“Incidenca e lartë e sëmundjeve malinje të organeve gjenitale te femrat na obligon që të rrisim angazhimin në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të Kancerit të Qafës së Mitrës. Mjekësia për fat të mirë ka krijuar mundësitë dhe mjetet për t’u ballafaquar me to të cilat duhet t’i shfrytëzojmë pa asnjë hezitim”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq ai tha se si mënyrë parandaluese e këtij kanceri është PAP Testi dhe vaksinimi.

“Testet e rregullta si PAP Testi dhe vaksinimi kundër virusit janë sot intervenimet kryesore parandaluese, të cilat duhet t’i shfrytëzojmë dhe ti fuqizojmë”.

Më tutje ai tha se kanceri i organeve gjenitale në Kosovë është i dyti më i përhapuri.

“Në Kosovë kanceri i organeve gjenitale femërore paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mes kancerit të femrave dhe të katërtin për nga shpeshtësia në mesin e të gjithë grupit të kancereve”, tha Vitia.

Ndërsa si Ministër i Shëndetësisë, Vitia tha se janë duke bërë hapa konkret në trajtimin e çështjes së Kancerit së Qafës së Mitrës.