MASHTI

Viti i ri shkollor: Nagavci s’i përmendet tekstet, thotë se i kanë bërë krejt përgatitjet

Sot në shkollat fillore dhe ato të mesme do të fillojë viti i ri shkollor 2023/2024. Ndonëse vitin e kaluar procesi mësimor kishte filluar me vonesë për shkak të grevës, edhe ky vit fillon me telashe. Kjo për shkak të teksteve mësimore, përgjegjës për blerjen e të cilave, do të jenë vetë prindërit.

Mijëra nxënës në Kosovë sot fillojnë vitin e ri shkollor. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak që nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese, kësaj here ka marrë vendim që librat t’i blejnë prindërit.

Parat, sipas asaj që u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës, do të rimbursohen.

Ky proces, që po konsiderohet edhe më i komplikuar e më i shtrenjtë, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 13 milionë euro.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.” – thuhej në një njoftim të Qeverisë.

Ndërkohë, në një mesazh të publikuar mëngjesin e së premtes, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“MASHT në bashkëpunim dhe me komunat e shkollat, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor. Si ministri po punojmë çdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore e ligjore…” – ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka konsideruar si paaftësi dhe paranojë vendimin e Qeverisë.

Përmes një videoje, Abdixhiku ka treguar se si prindërit janë duke u maltretuar nga kaosi organizativ, tollovia dhe pritja, dhe ka thënë se ata janë kthyer në një eksperimet të Qeverisë.

“Pamjet që po i shihni janë të kaosit organizativ, të tollovisë, pritjes e maltretimit – janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë.” – deklaroi Abdixhiku.

“Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria.” – tha ai tutje.
Dje ndërkaq, Nagavci tha se është kryer pagesa për grupin e parë të aplikuesve për tekstet shkollore, ku sipas saj, janë 81 mijë persona që kanë pranuar paratë në llogaritë e tyre.

“Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës. Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.” – deklaroi ajo.

Ndonëse në videon e sotme, Nagavci nuk ka folur për problemet me tekstet shkollore, në një takim me drejtorët komunalë të arsimit, thuhet se ajo ka pranuar “kushtimisht” fajin për një zhvillim të tillë.

Kjo u tha nga drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Drejtorët komunal të Arsimit janë takuar me ministren Nagavci, ku kjo e fundit po them kushtimisht që e ka pranuar fajin sa i përket furnizimit të komunave me tekstet shkollore.” – citohet të ketë thënë ai për “Gazetën Blic”.