Viti 2020-të e gjen Teatrin Kombëtar me listë të gjatë të kërkesave për “babadimrin”

Teatri Kombëtar i Kosovës edhe vitin që po lëmë pas po e përmbyll me sukses, ndërsa krahasuar me vitet e tjera këtë vit ka patur një repertor më të qëndrueshëm artistikisht.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit të Kosovës, aktori Adrian Morina në një intervistë për Indeksonline u shpreh se pavarësisht problemeve të shumta teknike dhe financiare ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm për Teatrin Kombëtar.

“Teatri Kombëtar i Kosovës po përmbyll një vit të suksesshëm artistik pavarësisht problemeve të shumta teknike dhe financiare. Krahasuar me vitet paraprake kemi një repertor më të qëndrueshëm meqenëse kemi një trup të ansamblit rezident shume të konsoliduar  të cilët e përbejnë bazën e shfaqjeve të cilat i realizojmë në skenën e madhe të TKK-së. Por këtu duhet falënderuar edhe aktorët të tjerë të cilët janë të angazhaur në shumicën e shfaqjeve të repertorit të rregullt si në skenën e madhe e veçanërisht në skenën e vogël. Duke ditur se jo vetëm teatri por edhe institucionet tjera të kulturës përballen vazhdimisht, që prej  pasluftës, me mungesë të buxheteve dinjitoze, mund të konsiderojmë se po përmbyllim një vit me sukses”, u shpreh Morina.

Në TKK gjatë vitit 2019 janë realizuar gjithsej 4 premiera në skenën e madhe dhe 4 të tjera në skenën e vogël, ndërsa sa i përket numrit të reprizave, TKK-ja ka realizuar 182 repriza në të dyja skenat.

Sipas Morinës nëse bazohemi në kalendarin kulturorë të të gjitha institucioneve kulturore në vend, sin ë nivelin ministrorë ashtu edhe komunal, Teatri Kombëtar i vetëm mban kalendar sa të gjitha institucionet tjera bashkë.

“Gjatë viti që po e lëmë pas kemi realizuar 4 premiera në skenën e madhe dhe 4 në skenën e vogël. Kanë qenë të planifikuara edhe 2 shfaqje, respektivisht 1 për secilën skenë, por për shkak të shkurtimeve, mosrealizimeve, buxhetore, jemi detyruar ti bartim në repertorin e vitit 2020, me shpresë se ky do të jetë vit i teatrit dhe jo vetëm teatrit kombëtar. Sa i përket numrit të reprizave TKK-ja ka realizuar një repertor me 182 reprizave në të dyja skenat, që është një rekord i shfaqjeve nëse e krahasojmë qoftë edhe me rajonin. Pa modesti, nëse e merrni kalendarin kulturorë të të gjitha institucioneve kulturore në krejt Kosovës, qofshin në nivel ministrorë apo komunal, teatri kombëtar i vetëm mban kalendar sa të gjitha institucionet tjera kulturore bashkë”, tha ai.

Ky vit i TKK-ë është karakterizuar si vit i dramës, pasi me vendim të këshillit dhe menaxhmentit të TKK-së idea ka qenë që të promovohet drama kombëtare.

“Nëse i referohemi shfaqjeve të inskenuara në skenën e madhe sivjet kemi patur një repertorë komplet me autorë shqiptarë ku nga katër shfaqjet e realizuara 100% e teksteve janë të autorëve vendas. Pra ky vit është karakterizuar si vit i dramës. Natyrisht, me ligj, është e lejuar të inskenohen edhe drama nga letërsia botërore por ky ka qenë një vendim i këshillit dhe menxhmentit të TKK-së me idenë e promovimit të dramës kombëtare. Edhe pse për mua çdo shfaqje e realizuar ne TKK-është kombëtare. Shekspiri nuk di se kur ka folur më shqip sesa në shfaqjet “Hamleti”, me regji të David Gothard ose “Nata e 12”, e Ilir Bokshit. Sodoqoftë, për këtë debat mund të zgjatemi një herë tjetër”, deklaroj Morina.

Në anën tjetër edhe numri i shikueshmëri ka qenë i kënaqshëm këtë vit si në TKK ashtu edhe në reprizat e shfaqjeve në qytetet e tjera.

“Është e vështirë të kemi një matje reale se cila është shfaqja më e suksesshme. Cilësia dhe sasia nuk mund të maten me një peshore. Drama dhe komedia poashtu s’mund të kenë matës të njëjtë. Nëse i referohemi numrave atëherë TKK ka pasur rreth 18.500 shikues, përjashtuar numrin e shikuesve të cilët na kanë përcjellur gjatë reprizave në qytetet tjera apo festivalet të ndryshme. Nëse i shtojmë edhe këto atëherë ky numër rritet”, u shpreh për Indeksonline Morina.

Krahas llogaritjeve të sukseseve të këtij viti, Teatri Kombëtar ka fituar disa çmime si në vend, ashtu edhe jashtë vendit.

“Te pjesa e sukseseve, të matshme, TKK është fituese e çmimit “Shfaqja më e mirë e vitit”, çmim të cilin e ndanë Ministria e Kulturës. Ky çmim është ndarë për shfaqjen “Arturo UI”, me regji të regjisorit të ndjerë Bekim Lumi, që njëherit, ka fituar edhe çmimin regjia më e mirë. E njëjta shfaqje ka fituar edhe në festivalin e Shkupit”.

“Shfaqje tjetër e suksesshme, për këtë vit, është edhe shfaqja “Karnevalet e Korces”, me regji të Altin Bashës. Përveç çmimeve që ka marrë si shfaqje në festivalin e komedise në Korce “KOKFEST”, ajo gjithashtu ka triumfuar edhe në “Skupifest”. Njëherit është edhe shfaqja më e shikuar e vitit e që nuk është rastësi kur bëhet fjalë për komedi të realizuar nga regjisori i mirënjohur Altin Basha i cili ripërsërit suksesin e tij me shfaqjen “I ligu për mend”, tha tutje Morina.

Viti 2020-të në TKK pritet të jetë edhe më I mirë me një repertoar edhe më të gjerë artistik, të miksuar mes politikës, komedisë së teatrit klasik e deri te shfaqjet e teatrit muzikor. Poashtu viti I ardhshëm do të ketë në program edhe dedikime për artistët që dhanë shumë per teatrin dhe artin në përgjithësi.

“Në vitin e ardhshëm presim që të kemi një repertorë shumë të mire dhe të miksuar mirë në mes të teatrit politik; komedisë së teatrit klasik e deri te shfaqjet që i përkasin teatrit muzikor. Nuk po them musical sepse do të dukej shumë ambicioze dhe një kërkesë shumë e madhe për kushtet teknike që i kemi tash e disa vite. Me kërkesë edhe të këshillit edhe të menaxhmentit do të përpiqemi të sjellim vepra dhe autorë të painskenuar më parë te ne. Do të kemi një program dedikues për emra të mëdhenj të teatrit pa të cilët s’do të ishim as ne e as teatri këtu ku është. Artistëve që kanë dhënë shumë për teatrin dhe artin të do tu dedikojmë, duke qenë edhe ata vet të përfshirë në shfaqje,  vepra cfarë ata vërtetë meritojnë. Duke nderuar ata ne ndërtojmë vetën tonë. Këtë risi do e nisim këtë vit…po e lëmë befasi ku?kush?si? etj”, tha Morina për Indeksonline.

E planet e vitit të ardhshme e gjen Teatrin me një listë të gjatë të kërkesa dhe dëshirave, të cilat janë të domosdoshme tash e disa vite, madje Morina shpalosi edhe një listë të cilën do ta dërgonte në adresë të “babadimrit”.

“Sikur të kisha adresën e “babadimrit”, edhe pse as fëmijët më nuk besojnë në të, do ti shkruaj një listë dëshirash për TKK-në, e që është shumë e gjatë. E di se duket shumë utopike por artistët sikur mos të besonin se me punën e tyre mund ta ndryshojnë botën, atëherë s’do të merreshin fare me artin e tyre. Në këtë listë të “babadimrit” ose “babaministrit” do të kërkoja: Plotësimin e trupës edhe me të paktën 6 aktorë (siç parashihet me ligj); plotësim të stafit të dekoratorëve, ndriçuesve, analizatorëve dhe pjesës tjetër që na mungojnë tash e disa vite; një park ndriçues dhe një skenë të rinovuar; gardëroba e dushe dhe toalete jo më të mira se sa i ka në shtëpinë e tij…Ah, po, do ti kërkoja edhe një kanalizim të ri, që mos të na merr m…sa herë që bie shi. Në rregull. Për buxhet s’do t”i kërkoj më shumë sepse është i zënë me autostrada”.

Për fund, Adrian Morina urojë që viti 2020 të jetë vit i teatrit.

“Për fund uroj që viti 2020 të jetë vit i teatrit dhe jo vetëm i teatrit kombëtar, por i të gjitha teatrove të qyteteve dhe teatrove private”, tha për fund Morina.