Viti 1968, The Doors dhe problemet e Morrisonit me drogë.

Pesëdhjetë vjet pas lansimit të këngës “Hello, I Love You”, kritiku i muzikës i ditores Guardian, Dave Simpson, ka biseduar me dy anëtarët e dikurshëm të rok grupit legjendar The Doors, për të mësuar më shumë për momentet e realizimit të kësaj kënge. Këto momente i shpjegojnë daullisti John Densmore dhe kitaristi Robby Krieger. Këtë vit do të dal në shitje edicioni special i albumit “Waiting for the Sun”, ku përfshihen edhe disa nga incizimet e papublikuara, ndërsa “Hello, I Love You” tashmë është edituar në disk vinili, transmeton Telegrafi.

John Densmore: Jim Morrison e ka shkruar tekstin për “Hello, I Love You”, në kohën kur ende ishim në grupin që quhej Rick & Ravens. “Trotuari përkulet te këmbët e saj/ si qeni që lyp diçka të ëmbël.” Është një tekst shumë i mirë. Ai nuk mund të luante në instrumente, por vinte me melodi për t’i kujtuar fjalët e tija të mahnitshme. Ishim duke ecur përgjatë shtegut të plazhit Venecie në Los Angjelos, një nga zonat me diversitet të shquar në vitet 1960, kur Jimi e shikoi një vajzë afro-amerikane. Ajo ishte “xhevahiri i errët” që e frymëzoi këngën.