Vision Pro: Zbulohen kufjet e reja të realitetit të shtuar të Apple – bëhet i ditur edhe çmimi i tyre

Apple ka zbuluar kufjet e shumëpritura të realitetit të shtuar, Apple Vision Pro, në lansimin e saj të parë të madh të harduerit për gati një dekadë.

Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook tha se kufjet e reja “përzien pa probleme botën reale dhe botën virtuale”.

Firma e teknologjisë njoftoi gjithashtu sistemin e saj të fundit operativ iPhone, si dhe përditësimet e MacBook Air, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur më tej, kufjet do të kushtojnë 3,499 dollarë (3265 euro) dhe do të jenë të disponueshme nga fillimi i vitit të ardhshëm në SHBA.

Njoftimi u bë në një konferencë zhvilluesish në Apple Park, selia e kompanisë, në Cupertino, Kaliforni, e cila u transmetua gjithashtu drejtpërdrejt në faqen e saj të internetit dhe kanalin YouTube.

Përveç njoftimit të Vision Pro, Apple zbuloi gjithashtu iOS17, versionin më të fundit të sistemit të saj operativ për iPhone.

Dhe Apple ka prezantuar një sistem të quajtur Check-In – i cili automatikisht do t’i tregojë një miku ose anëtari të familjes kur të keni mbërritur në shtëpi.

Sistemi i ri operativ do të jetë i disponueshëm në vjeshtën e vitit 2023.