Ish kryetari i VV-së

Visar Ymeri del kundër Albin Kurti, pasi që Qeveria refuzoi vendosjen e flamurit të komunitetit LGBT në ndërtesë

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar pas refuzimit të kërkesës nga Qeveria e Kosovës për ta ndriçuar objektin e qeverisë me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTQI.

Ymeri ka kërkuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti të tërhiqet nga vendimi i tij dhe të dalë të thotë që homofobia është gabim dhe e patolerueshme.

Shkrimin e filloi duke i thënë Kurtit të dëshmojë emancipimin politik duke kundërshtuar homofobinë.

Tutje, Ymeri bëri thirrje që kurti të thotë zëshëm se secili ka të drejtë të jetojë ashtu sic do vet dhe të dojë atë që ka dëshirë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ymerit.

Albin dëshmo emancipim politik duke kundërshtuar homofobinë

Refuzimi i Zyres së Kryeministrit për mbulimin e Ndërtesës së Qeverisë me ngjyrat e Ylberit (nëse është i vërtetë) është i papranueshëm. Përkrahja eksplicite për të drejtat e LGBTQI është e vetmja përkrahje e mundshme. Përndryshe kalkulimi elektoral me të drejtat themelore të njeriut, e veçanërisht duke shpërfillur pozitën e vështirë të grupeve të diskriminuara, e dëmton jashtëzakonisht shoqërinë tonë.

Nëse një politikan si Kurti, i cili tërë angazhimin politik e ka nën flamurin e barazisë e emancipimit, struket në rehatinë elektorale të konzervatorizmit e të traditës, dëmi për shoqërinë është shumëfish më i madh se sa ta bënte kushdo tjetër. Një zprapsje e tillë e hedh poshtë tërë atë histori e përpjekje – për më tepër e shenjon emancipimin si të pamundshëm. Shumë më mirë do të kishte me qenë që të mos fliste fare për emancipim se sa të heq dorë pikërisht në momentin kur potencialin emancipues e ka më të lartin.

Albin, dil e thuaje qartë e zëshëm: Secila/secili ka të drejtë të jetojë ashtu siç do vet, ta dojë atë që ka dëshirë. Thuaje që homofobia është gabim dhe e patolerueshme.