Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka reaguar pas rezultateve të fundit zgjedhore, duke theksuar se çdo herë që LDK arrin sukses, ka përpjekje për ta zvogëluar atë.
“Në fillim të këtij viti, kur shtuam 70 mijë vota në zgjedhjet nacionale, disave nuk u mjaftoi kjo rritje. Na thanë s’ka rëndësi rritja, jeni partia e tretë. Tash jemi në vendin e parë, fituam në 7 komuna, më shumë se secila parti, sepse qeverisim sërish me kryeqytetin”, ka shkruar Azemi.
Ai shtoi se LDK nuk do të merret me ata që nuk pranojnë “të vërtetën e as rritjen e partisë”, duke falënderuar mbështetësit që, sipas tij, kanë mundësuar këtë fitore.
“LDK po rritet. Kemi fituar me punë e ndershmëri në 7 komuna, në disa madje pa balotazh. Fushata jonë ka qenë e pastër e pa përçarje në secilën komunë ku ishim në garë. Këtë fushatë të ndershme edhe qytetarët e vlerësuan fort, duke renditur partinë tonë të parën në Kosovë me numrin e komunave të fituara,” përfundoi Azemi.
Sipas tij, LDK do të vazhdojë të punojë “e bashkuar, e ndershme dhe me përkushtim” për të triumfuar edhe në garat e ardhshme politike.







