Kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi, ka theksuar se beteja e tij në këto zgjedhje, është për t’i rregulluar problemet esenciale të qytetarëve. Azemi përmendi ujin e pijshëm troturaret e kaosin urban.

“Beteja ime është për ta rregulluar ujin e pijshëm që në Ferizaj mungon, sidomos në këto vite sa ka qenë Agimi kryetar. Ai senzacioni i tunelit përfundon për 10 sekonda dhe e sheh se Ferizaj nuk është më i jetueshëm sepse njerëzit përballen me mungesë të ujit të pijshëm, sepse njerëzit nuk kanë hapësirë të gjelbër diku në Ferizaj për të marrë frymë lirshëm”.

“Njerëzit që janë nëpër ndërtesa nuk kanë parkingje për t’i parkuar veturat e tyre. Nënat, gratë që e shtyjnë një karrocë, ose personat me nevoja të veçanta nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak se ose s’ka trotuar ose janë të bllokuara prej veturave. Pra, veturat në trotuare e njerëzit ecin në asfalt në Ferizaj”, tha Azemi në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Tutje, ai e komentoi edhe një tubim elektoral të Aliut të mbajtur mbrëmë, duke thënë se “10 metra tej janë njerëzit me kova duke mbushur ujë sepse s’kanë ujë në shtëpi”. “Aty ku e mbante Agim Aliu mbrëmë një tubim, 10 metra më tej janë njerëzit me kova duke mbushur ujë sepse nuk kanë ujë në shtëpi, por i ka dy nënkalime Ferizaji që i ka shti gati 20 milionë euro në nënkalime, e njerëzit nuk kanë ujë për të pirë”, tha ai