Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se pothuajse të gjithë pacientët që kanë vdekur nga koronavirusi, kanë pasur edhe sëmundje të rënda shoqëruese.

Në një konferencë për media, Zemaj tha se të gjitha rastet që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus janë në evidencë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Në momentin që kam pranuar detyrën, jam njoftuar me trajtimin e rasteve të cilat kanë pësuar me fatalitet, të cilat janë në evidencë të IKSHPK-së e që kanë rezultuar me infeksionin COVID-19. Jam interesuar në detaje qoftë edhe për sëmundje të tjera. Dhe me përgjegjësi të plotë kam kërkuar që në raport të përfshihet çdo detaj dhe kjo është duke u përdorur. Zyra jonë e informimit, drejtori i departamentit të informimit i ka të gjitha detajet të cilat janë të përfshira në bazë të protokollit. Ju e dini që është ligji për mbrojtjen e të dhënave dhe i cili nuk na lejon që ne t’i shpalosim, por pothuajse çdo person i cili ka rezultuar me fatalitet ka pas sëmundje të rënda përcjellëse, qoftë edhe nga ata që nuk kanë arritur të jenë në Klinikën Infektive por kanë humbur jetën rrugës”, ka thënë ai.

Kujtojmë se mëngjesin e së dielës menjëherë pas mesnate, dyshohet se në QKUK vdiqën tre pacientë me koronavirus në një kohë shumë të afërt, ndërsa vetëm pak pas tyre edhe një tjetër.

Po atë ditë në Klinikën Infektive janë parë forca të shtuara të policisë, ku po hetohen rrethanat e këtij rasti, pasi po cilësohet si i dyshimtë.

Vlen të theksohet se ditëve  të fundit në Kosovë është përkeqësuar dukshëm situata me koronavirus, ku është vërejtur numër i madh i të infektuarve dhe viktimave.

Aktualisht në vend ka 1678 raste aktive të prekura me koronavirus, teksa 79 persona kanë vdekur si pasojë e sëmundjes.