Inspektoriati kundër zjarrit me asistencë të policisë ka mbyllur tre institucione të komunës së Preshevës themelues i së cilave është Kuvendi Komunal i Preshevës: Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, Biblioteka “Mehmet Isufi” dhe Radiotelevizioni “Presheva”.
Një rast i tillë nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë në komunën e Preshevës.
Ditën e djeshme, lajmin për mbylljen e tri Institucioneve shqiptare e ka konfirmuar për Ballkani.info edhe ish- Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Qytetarët kishin shprehur shqetësim për veprimet e institucioneve serbe, por sipas inspektorëve, drejtoria e Shtëpisë së Kulturës nuk e kishte përpiluar këtë projekt dhe si rrjedhojë pasoi vënia e bllombës të dyerve të Shtëpisë së Kulturës por edhe dy institucioneve tjera të cilat funksionojnë në objektin e Shtëpisë së Kulturës, Rtv Presheva dhe Biblioteka.
Rtv Presheva kishte rreth një vit që nuk po financohej nga Komuna e Preshevës.

Pas mbylljes së Institucioneve shqiptare në Preshevë, kanë reaguar edhe Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, të cilët e kanë konsideruar këtë veprim si provokim dhe primitiv.
“Bllomba” shtetërore në dyert e pallatit të kulturës, akt i pashembullt, amoral dhe primitiv
Mbyllja e dyerve të Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, në Preshevë, me “bllombë” nga inspektoriati kundër zjarrit, në prani të asistencës policore, në prag të shënimit të festave nacionale të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, paraqet një nga provokimet më të ulëta, më primitive dhe më absurde.
Në reagim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, bëhet e ditur se mbyllja e këtij institucioni kulturor, që ka për themelues pushtetin lokal në Preshevë, ka për prapavijë skenaret e mundshme të kthimit të festave kombëtare në protesta popullore.
Gjithashtu, me mbylljen Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica”, janë mbyllur përkohësisht edhe dyert e Bibliotekës “Mehmet Isufi” dhe Radiotelevizionit “Presheva”, institucione këto të kulturës, librit dhe informimit, të cilat veprojnë brenda një godine të përbashkët.
Inspektoriati kundër zjarrit nga Vranja, ka gjetur momentin për t’i vënë “bllombën” pallatit të kulturës në Preshevë, me arsye se nuk e paska të përpiluar projektin për mbrojtjen nga zjarri, a nga ana tjetër të njëjtën nuk e kanë as objekte tjera si ajo e stacioni policor dhe godina e Komunës së Preshevës.
Po, kjo nuk është arsyeja pse organet shtetërore serbe kanë bllokuar dyert e institucioneve kulturore e informative në Preshevë, por pengimi i manifestimeve të shumta kulturore si ajo e Festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Pre Foto”, me pjesëmarrës të shumtë nga Gjermania, Holanda, Britania e Madhe, Franca etj, pastaj edhe manifestimet e tjera të radhës, që do të mbahen me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar, thuhet në reagimin e Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”. /Ballkani.info/







