Vihet gurthemeli i “Shtëpisë Muze” në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, sot është shënuar Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se të rënët do të kujtohen çdo herë sepse sipas tij janë njerëzit më të devotshëm të këtij vendi të cilët i kontribuuan lirisë.

“Sot 20 vite ka ndodhur kjo masakër makabër ku shumë viktima pësuan në shtëpitë e tyre dhe në trojet e tyre. Ky muaj është më i vështiri për ne pasi që kujtojmë shumë të rënë por njëkohësisht jemi edhe shumë krenar. Ne sot do të bëjmë edhe gurëthemelin e Shtëpisë Muze për ti nderuar të gjithë të rënët dhe kjo të jetë pasqyrë e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë për ne dhe të gjithë gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Bahtiri, bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, tha se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 20 viteve është krenare e stoike.

“Sot kemi dhimbje ne dhe e gjithë Kosova për të gjithë të rënët, pasi që kemi të bëjmë me njerëz të pafytyrë dhe të paturpshëm që kryen këtë masakër. Mirëpo Qeveria e Kosovës është e vendosur për të krijuar kushte për të gjithë ata të cilët ja falën bijtë dhe bijat më të mirat e këtij vendi. Dhe sa i përket çështjes së të zhdukurve jemi duke e ndryshuar ligjin që familjarët e tyre të gëzojnë së paku një pension të pleqërisë diçka që me ligjin e vjetër nuk e kishin”, tha këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka.

Pastaj kryetari Bahtiri, së bashku me përfaqësuesit komunal, familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve si dhe është vënë gurëthemeli i “Shtëpisë Muze.