Vidhen 20 mijë euro në Pejë, arrestohen tre anëtarët e grupit të dyshuar

Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se të dielën ka ndaluar tre persona (H.A., E.H., dhe M.A.,) të cilët duke vepruar si anëtar të grupit kanë kryer veprën penale “Vjedhje e Rëndë”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se tre të dyshuarit duke vepruar si anëtar të grupit kanë arritur t’i vjedhin nga i dëmtuari shumën e parave në vlerë prej 20 mijë eurove, ku pas koordinimit të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës, tre të dyshuarit (H.A., E.H., dhe M.A.,) janë arrestuar mbrëmë rreth orës 18:00, njofton prokuroria.

“Pas kontrollit të shtëpive të pandehurve, në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur parat e vjedhura, në shumë prej njëzetmijë (20.000) euro”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Pejë do paraqet kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit ndaj tre të pandehurve në gjykatën kompetente. ​