Videot që dëshmojnë se si Kurti e mësoi më në fund shumën që MCC ia dha Kosovës

Kryeministri Albin Kurti pas ceremonisë me MCC-në u shpreh se SHBA po ia jep Kosovës një grant 236 milionë dollarësh edhe pse shuma e grantit ishte rreth 202 milionë dollarë. Vetëm pas kthimit nga Amerika e mësoi dhe e tha se shuma që po e merr Kosova, pa kthim, nga amerikanët është rreth 202 milionë dollarë. Kjo, pavarësisht faktit, që tema e grantit amerikan është aktuale në vend për një kohë të gjatë. Në marrëveshjen 236 milionëshe me MCC Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë me rreth 34 milionë.

Në Washington DC, kryeministri Albin Kurti u shpreh shumë i lumtur pasi u nënshkrua marrëveshja 236.7 milionë dollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Atë ditë e quajti historike, duke e theksuar shumën e parave që tha se do t’i marrë Kosova në formë granti. Harroi se nga kuleta e shtetit do t’i duhet t’i nxjerrë 34 milionë dollarë.

“Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe udhëheqësja e MCC-së zonja Albright, bënë nënshkrimin sot që do t’ia sjell Kosovës 236.7 milionë dollarë grant. Pra, nuk bëhet fjalë për kredi, por bëhet fjalë për grant. Jemi shumë të gëzuar, shumë të lumtur”, tha Kurti të mërkurën nga Kongresi Amerikan.

Por janë rreth 202 milionë dollarë paratë që MCC-ja do t’ia japë Kosovës për ta përmirësuar gjendjen e saj energjetike. Qeveria e Kosovës duhet t’i japë 34 milionë nga buxheti i saj. Përveç kësaj, marrëveshja e obligon vendin që t’i ketë detyrat e përcaktuara në kuadër të marrëveshjes me MCC-në.

Kurti, i cili i ka shumë qejf shifrat, të shtunën erdhi më i përgatitur në Kosovë. U ndal në aeroport për një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmanin. Kur foli për marrëveshjen, kësaj here tha thjesht se ajo është “mbi 200 milionë dollarë”.

“Në njërën anë kishim nënshkrimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Programin Kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit me vlerë prej mbi 200 milionë dollarë”, tha ai.

Kryeministri sot foli sërish për marrëveshjen me MCC-në. E mori me vete në një konferencë për media ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Kësaj here, e tha saktë shumën e grantit nga MCC-ja, shkruan Express.

“Ky është grant. 202 milionë dollarë ia kanë dhënë Kosovës”, tha mes tjerash Kurti, duke iu kërkuar gazetarëve që të mos harrojnë se këto para “nuk janë kredi”.

“Vijnë paratë, i merr, s’i kthen”, theksoi Kurti.