VIDEO/ Testi i ri Covid ‘Bëje vetë’, si mund të mësoni për 90 sekonda nëse jeni i infektuar

Guvernatori i Venetos, Luca Zaia i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta bëjnë vetë testin e COVID-19 për të parë nëse janë apo jo pozitiv.

Ai e provoi testin e ri diagnostikues “bëje vetë” për Covid dhe videon e postoi në llogarinë e tij në facebook.

“Është shumë e thjeshtë, tani do t’ju tregoj”, u tha ai gazetarëve, duke hapur epruvetën me reagentin dhe tamponin që futet në zgavrat e hundës me 5 lëvizje të vogla.

Midis operacionit dhe rezultatit të testit, i cili ishte negativ, u deshën pak më shumë se një minutë e gjysmë kohe.

Me testin e antigjenit, shtoi presidenti i Rajonit Veneto, “hapet një skenar i shkëlqyeshëm, ai i gjurmueshmërisë.

Nëse të gjithë do të bënim provën, do të ishte një gjë e shkëlqyeshme, sepse kushdo që e bën atë ka në dorë jo vetëm fatin e jetës së tij por edhe ato të një komuniteti”.