Video-mesazhet dhe letrat, format ndryshe të komunikimit nga Kurti

Gati 25 minuta ka zgjatur një video-mesazh i Kryeministrit, Albin Kurti në të cilën flet për kushtetutën e punën tjetër të Qeverisë së tij.

Ky mesazh, i publikuar dje ka marrë gati 500 mijë shikime, dhe është një vazhdimësi e mënyrës së komunikimit të Kurtit me publikun, që prej pas 6 tetorit.

Në faqen e Kurtit në Facebook, janë 11 video-mesazhe që prej pas 6 tetorit. Të paktën 3 nga ta i ka gjatë kohës sa negocionte me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion qeverisës. Në to flet për negociatat. Të tjerat më pas, kur edhe u bë kryeministër i ka për pandeminë, raportet me Presidentin Hashim Thaçi dhe këtë të fundit që zgjati 25 minuta, kundër të gjithëve që e rrezuan pas 50 ditëve si kryeministër.

Video-mesazhet janë aplikuar rrallë nga politikanët kosovarë. Janë bërë vetëm në raste shumë specifike. Në Kosovë, ish kryeministri Agim Ceku kishte pasur një adresim javor para popullit, në Radio Kosova. Por, si praktikë nuk ishte vazhduar nga ish kryeministrat.

Me ardhjen e Kurtit, adresimet para popullit janë bërë më të shpeshta, shkruan Reporteri. Video-mesazhet dhe komunikimi me letra janë metodat që kreu i VV-së ka treguar se i aplikon shpesh. Edhe sa negocionte me LDK-në i dërgonte letra kreut të saj, Isa Mustafa, e po ashtu edhe me Thaçin kishte disa letra të shkëmbyera. Letra ua ka dërguar edhe liderëve të ndryshëm në botë, përfshirë edhe presidentin Donald Trump, të deleguarin e të cilit, Richard Grenell e akuzon për pjesëmarrje në rrëzimin e qeverisë së tij.