VIDEO| Limaj përlotet kur rrëfen se si ia vranë ushtarin 16-vjeçar

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj, ka folur për një rast të vështirë gjatë përballjes me forcat serbe.

Limaj u emocionua sa që nuk i përmbajti as lotët derisa fliste për momentin kur atij iu vra një ushtar 16-vjeçar.

Sipas tij, atë e kishin larguar nga UÇK-ja për shkak se ai ishte djalë i vetëm, por ai ishte kthyer sërish në luftë.

“Në një aksion gueril, në shtator të 98-ës kur trumbetohej që UÇK-ja u shkatërrua. Në atë kohë kam organizuar brenda orës aksione të pandashme guerile, në një orë kam pasur 15 aksione, në 15 pika të policisë serbe, për të treguar që ishim aty. Avniu ka qenë 16-vjeçar, i vetmi djalë i nënës, s’ka pasur më. Tre herë e kemi larguar nga ushtria. Në UÇK ka qenë e ndaluar të jesh djalë i vetëm e të vish në luftë, edhe jo nën moshën 18 vjeç. Plus, nëse janë dy vëllezër, njëri nuk duhet të jetë në vijën e frontit. Si rregull, jo e shkruar. Atë djalë tre herë e kemi kthyer në shtëpi, tre herë është larguar, tre herë ka ardhur në luftë. Dhe herën e tretë është futur dhe në aksion ai së bashku me ata ka qenë edhe një 18-vjeçar, “Dinamiti” e kemi quajtur. Këto janë dy momente ndër më të rëndat” – tha Limaj në Tv Klan.