“Video| Incizimet për rastin Dehari”, Prokuroria Speciale fton për intervistim Haki Abazin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se do ta ftojë për intervistim deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, pas deklaratave lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit. 

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkohë, deputeti i LVV-së, Haki Abazi në një konferencë për media ka ftuar prokurorinë që ta hetojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, Nazlije Balajn, Dijona Mihajlin dhe Flutura Gogajn.

“Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Por ne, as si shoqëri, as si qytetarë individualë, e as si deputetë nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet ta kryejmë punën për ta zbardhur këtë çështje deri në fund. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave, dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe kanë nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostra të tjera janë zhdukur”, ka deklaruar ai.