Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë futur sërish brenda territorit të Kosovës, kjo ka ndodhur 500 metra brenda territorit të Kosovës në pikën kufitare Svircë-Kapi në komunën e Kamenicës.
Gazeta Metro ka siguruar një video ku dëshmohet se xhandarmeria serbe hynë brenda territorit të Kosovës në thellësi prej 500 metrave nga pika kufitare Svircë-Kapi.Hyrja e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës ka ndodhur dje, saktësisht në fshatin Svircë të komunës së Kamenicës .Terrorizimi i banorëve të asaj anë nga forcat serbe ka vazhduar tash e 20 vjet në brezin kufitar me Serbinë në komunën e Kamenicës.
Jo me larg se një muaj, forcat e armatosura të ushtrisë serbe u panë tek futen në fshatin Karaqevë.
KFOR’i kishte dalur me një sqarim për situatën duke thënë se në Karaqevë kanë pasur patrullim të sinkronizuar me Forcat e armatosura të Serbisë.
Ndërsa nuk ka pasur ndonjë reagim nga qeveria e Kosovës dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth provokimit të radhës nga xhandarmeria serbe.
Ka qenë kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili ka reaguar duke thënë se sipas informatave preliminare xhandarmëria serbe ka qenë në pikën zero.
“Sipas informatave preliminare xhandarmëria serbe kanë qenë në pikën zero, nuk kanë hyrë në territorin e Kosovës. Sipas qytetarit që e ka denoncuar dje, kanë shkuar në vendin e ngjarjes organet përgjegjëse dhe xhandarmëria kanë qenë në pikën zero të fshatit Svircë dhe nuk kanë hyrë këndej”, është shprehur Kastrati.







