VIDEO/ Banorët e Fushë Kosovës duan shesh, nuk mjafton bllokada e rrugës

Rruga “Dardania”, përkatësisht nga shkolla “Mihail Grameno” deri të rruga “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë mbyllet për kalimin e veturave gjatë mbrëmjes.

Gjatë gjithë muajit korrik, nga ora 20:00 deri në 24:00 aty mund të ecin vetëm qytetarët.

Njëri nga banorët e kësaj rruge tha për Klan Kosova se kjo u bën problem personave që u duhet patjetër të kalojnë andej me makina.

Dikush tjetër e pëlqen vendimin e përvitshëm të Komunës qe gati një dekadë, por propozon që kjo pjesë të bëhet shesh.

E nga komuna thonë se në planin e mobilitetit parashihet që edhe kjo pjesë të jetë shesh, mirëpo nuk është vendosur ende se kur fillojnë punimet.

“Fushë Kosova është qytet që po ndërtohet dhe derisa të kryhen edhe ndërtime të tjera do të shkohet në këtë mënyrë”, tha Ali Topalli, zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës

Topalli tregon se vendimi aplikohet zakonisht në muajin korrik pasi që konsiderohet se ka më shumë fluks të qytetarëve, marrë parasysh edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.