VIDEO| Astrit dhe Arbnor Dehari ishin arrestuar në protestën kundër marrëveshjes që pranoi Kurti dhe po mburret me të

Dy vëllezërit Dehari, Astriti dhe Arbnori, ishin në mesin e 35 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuar nga Policia e Kosovës, më 3 shtator 2011.

Aktivistët e Vetëvendosjes kishin shkuar të protestonin te aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, pas kthimit nga Brukseli të kryenegociatores Edita Tahiri.

Qëllimi i tyre ishte që ta bllokonin zëvendëskryeministren dhe koncesionet që ajo po i sillte në Kosovë nga dialogu me Serbinë. Sipas Vetëvendosjes, aktivistët e saj “kishin hedhur domate të kalbura në drejtim të veturës së zv.kryeministres për ta simbolizuar kështu efektin që marrëveshjet e Editës i shkaktojnë shtetësisë së Kosovës – ato po e kalbin dhe çmontojnë gradualisht Republikën e Kosovës”, shkruan Demokracia.com.

Protesta e aktivistëve të Vetëvendosjes ishte organizuar vetëm dy muaj pasi Kosova kishte arritur disa marrëveshje me Serbinë, në mesin e të cilave edhe marrëveshja e 2 korrikut 2011 për Lëvizjen e Lirë.

Vetëvendosje e kishte konsideruar ndërhyrjen e policisë si brutale, pasi ishin lënduar një numër i aktivistëve. Kamerat kanë fiksuar edhe momentin e arrestimit të njërit nga vëllezërit e ndjerë Dehari, gjatë kësaj proteste.

Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ashpër kundër marrëveshjes, të cilën e konsideronte si nënshtrim të Kosovës ndaj Serbisë dhe të cilat po e zhbëjnë Republikën e Kosovës.

Por, pavarësisht se Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë ngritur në pushtet mbi denoncimin e marrëveshjeve të qeverive të kaluara me Serbinë, të njëjtit kanë ndryshuar qëndrim.

Duke kundërshtuar marrëveshjet e vitit 2011 ishin arrestuar edhe vëllezërit e ndjerë Dehari, Astriti dhe Arbnori, ashtu si edhe më vonë qindra aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

Pavarësisht kësaj, Albin Kurti dhe Vetëvendosje po përkujdesen që t’i zbatojnë pa asnjë ndryshim marrëveshjet e arritura në Bruksel e të cilat dikur i quanin tradhti kombëtare.

Të shtunën pasdite të 27 gushtit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së janë dakorduar për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më parë për lëvizjen e lirë. Kjo marrëveshje, u konsiderua si sukses i jashtëzakonshëm nga subjekti politik, Vetëvendosje, nën logon e së cilës protestonin dhe arrestoheshin edhe vëllezërit Dehari, Astriti dhe Arbnori.