Projekti "Kosova e Re"

VIDEO| A mund t’i shpëtojë shteti 20 milionët me Contour Globalin?

Kosova do të mundohet t’i shpëtojë 20 milionë euro nga kuleta e shtetit. Qeveria ka planifikuar që fillimisht të ankohet para se t’ia paguajë këtë shumë kompanisë amerikane “Contour Global”, me të cilën e humbi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit, për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Këtë pritet ta bëjë në Gjykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar, mirëpo nga Ministria e Drejtësisë nuk i kanë kthyer përgjigje televizionit, të martën, se çfarë procedurash do të ndiqen në këtë rast, raporton Klan Kosova.

Megjithatë, sipas ish-avoktatit shtetëror, Sami Istrefi, vendimi është vështirë të rrëzohet, pasi duhet të paraqiten prova të reja, të pashqyrtuara në procesin paraprak.

Contour Global, që parashihej ta ndërtonte termocentralin e ri me fuqi 500 megavatë në orë, u tërhoq nga projekti më 2020 dhe e paditi Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës komerciale të nënshkruar më 2017.

Procesit gjyqësor i paraprinë një varg zhvillimesh, nga vështirësia e gjetjes së 1.3 miliard eurove për ndërtim, uljes së interesit për energji me thëngjill, e deri te ardhja në pushtet e partive VV-LDK, që s’e përkrahnin projektin.

Nga KOSTT thanë për Klanin se nuk kanë qenë palë e procesit gjyqësor në këtë rast.

Kontesti qeveri-Contour Global ishte tentuar të zgjidhet edhe përmes dialogut, por investitori kishte zgjedhur mjetet juridike, për çka shpejt mund t’ia marrë shtetit 20 milionë euro.